Paga minimale të rritet për 3,500 denarë”, BDI propozon 5 masa për mbrojtjen e familjeve nga kriza ekonomike

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se çmimet po rriten, ndërsa sipas tyre, ka mungesë të veprimeve institucionale për mbrojtjen e standardit të familjeve. Partia kërkon rritjen e pagës minimale në të paktën 3.500 denarë, vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë, uljen përkohësisht të TVSH-së për ushqimet kryesore dhe kontroll më të rreptë të importit dhe tregut për të parandaluar spekulimet.

“Së pari, të vendosen çmime tavan për produktet bazë ushqimore ose të përcaktohen marzhe minimale për këto produkte, në mënyrë që të parandalohet abuzimi me çmimet. Së dyti, të rritet paga minimale për të paktën 3500 denarë duke filluar nga muaji mars, në vend të rritjes simbolike prej 1600 denarësh që parashihet aktualisht. Së treti, të ulet përkohësisht TVSH-ja për produktet bazë ushqimore për një periudhë prej tre muajsh, për të ulur menjëherë çmimet në treg. Së katërti, të bëhet një rishikim i të dhënave doganore për importin e pemëve dhe perimeve, duke pasur parasysh se vendi është në masë të madhe i varur nga importi dhe se manipulimet në këtë sektor ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet për qytetarët. Së pesti, të rriten kontrollet nga inspektoratet përkatëse në treg për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet me çmimet”, tha Sinan Veseli nga BDI, duke kërkuar që Komisioni Rregullator për Energjetikë të shqyrtojë më shpesh çmimet e derivateve të naftës, të paktën dy herë në javë, duke marrë parasysh se në bursat ndërkombëtare tashmë ka rënie të konsiderueshme të çmimeve të naftës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top