🔴 Banka serbe mbetet pa licencë! Çfarë do të ndodhë me paratë e klientëve?

Beograd – Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) ka marrë vendim për t’ia revokuar licencën e punës ALTA Bankës a.d. Beograd, pas konstatimit se gjendja e saj financiare ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se ekzistonte rrezik për interesat e depozituesve.

Sipas NBS-së, para këtij vendimi janë zhvilluar kontrolle dhe masa që synonin rritjen e likuiditetit të bankës. Megjithatë, gjatë mbikëqyrjes është konstatuar mundësia e përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes financiare dhe likuiditetit.

Por çfarë ndodh me paratë e qytetarëve?

Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të emërohet nga gjykata si administratore e falimentimit. Sipas rregullave në Serbi, depozitat e siguruara mbulohen deri në 50 mijë euro për depozitues, ndërsa pagesat e shumave të siguruara pritet të mundësohen brenda shtatë ditëve të punës nga vendimi i gjykatës për hapjen e procedurës së falimentimit.

Për klientët që kanë më shumë se 50 mijë euro në bankë, pjesa mbi këtë limit nuk është automatikisht e garantuar. Ajo do të kërkohet përmes procedurës së falimentimit dhe pagesa do të varet nga pasuria e disponueshme e bankës.

NBS ka deklaruar se masa është marrë me qëllim të mbrojtjes së depozituesve dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar.

Ndërkohë, raportimet e fundit tregojnë se qytetarë janë parë duke pritur para degëve të ALTA Bankës për të tërhequr paratë e tyre pas njoftimit për revokimin e licencës.

Back To Top