Parlamenti Europian ngre alarmin për gjuhën shqipe në RMV, miratohet amendamenti pas takimeve të Bujar Osmanit në Bruksel

Parlamenti Europian ka miratuar një amendament në raportin për Maqedoninë e Veriut, përmes të cilit u bën thirrje autoriteteve të vendit që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Në amendamentin e miratuar, eurodeputetët kërkojnë nga institucionet e Maqedonisë së Veriut që të garantojnë zbatimin praktik të Marrëveshjes së Ohrit, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në frymën e saj. Po ashtu, shprehet shqetësim për mënyrën se si janë trajtuar protestat studentore lidhur me këtë çështje, duke kërkuar që ato të mos paraqiten në mënyrë të pasinqertë si protesta të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues.

Ky qëndrim i Parlamentit Europian vjen pas një serie takimesh që ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zhvilloi në Bruksel me eurodeputetë dhe përfaqësues të institucioneve europiane. Gjatë këtyre takimeve, Osmani kishte ngritur alarmin për, siç kishte theksuar ai, moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve dhe tendencat për minimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit nga qeveria aktuale e përbërë nga VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN.

Back To Top