Rama: “Protesta po manipulohet nga përfitues dhe interesa të errëta”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit rreth protestës, duke deklaruar se problemi nuk qëndron te qytetarët që protestojnë, por te individët dhe grupet që, sipas tij, po e përdorin kauzën për qëllime të tjera.

Në një reagim publik, Rama tha se protesta e nisur në mbrojtje të natyrës po devijohet nga “përfitues të turlillojshëm”, të cilët, sipas tij, po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë qytetare për interesa politike dhe ideologjike.

Kreu i qeverisë përdori tone të forta ndaj atyre që i cilësoi si “patriotë të shtirur”, “aktivistë të shtirur” dhe “besimtarë të shtirur”, duke pretenduar se protesta po largohet nga qëllimi i saj fillestar dhe po shndërrohet në një hapësirë për përhapjen e mesazheve përçarëse.

Rama publikoi gjithashtu fotografi të një personi që, sipas tij, ka marrë pjesë në protestë dhe që më herët është shfaqur pranë figurave të njohura të regjimit iranian. Sipas kryeministrit, raste të tilla ngrenë pikëpyetje mbi ndikimet dhe interesat që mund të jenë të pranishme në organizime të caktuara.

Deklaratat e Ramës kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, duke shtuar debatet rreth protestës dhe rolit të aktorëve të ndryshëm në të.

Back To Top