Ekipi i prokurorëve që vepron në lëndën për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan ka dorëzuar sot mendim negativ dhe ka kërkuar nga gjykata të refuzojë si të pabazë propozimin për caktimin e garancisë për të akuzuarin Dejan Jovanov.
Sipas Prokurorisë, propozimi parasheh caktimin e garancisë në vlerë të përgjithshme prej 195.820 euro, përkatësisht 12.042.932 denarë, përmes vendosjes së pasurisë së paluajtshme si hipotekë.
Prokuroria kërkon që gjykata, gjatë vendimmarrjes, të marrë veçanërisht parasysh faktin se deklarata për dhënien e pronës si garanci është bërë nga vetë Jovanov, ndonëse, sipas pretendimeve të organit të akuzës, ai ka qenë në dijeni se një pjesë e pasurisë së ofruar i nënshtrohet procedurës së ekzekutimit dhe nuk mund të vendoset si hipotekë.
Gjithashtu, nga Prokuroria thonë se pjesa më e madhe e pasurisë së ofruar përbëhet nga dhoma ndihmëse, objekte dhe hambare, disa prej të cilave më herët kanë qenë ndërtime të paligjshme. Sipas tyre, një pasuri e tillë do të ishte veçanërisht e vështirë për t’u shndërruar në mjete financiare në rast nevoje dhe nuk do të mund të realizonte vlerën e deklaruar.
Ndërkohë, nesër skadon paraburgimi njëvjeçar i Dejan Jovanovit, i akuzuari i parë në lëndën për zjarrin në “Puls”. Ky afat përbën maksimumin ligjor të paraburgimit nga momenti i vlerësimit të aktakuzës.
Në një zhvillim tjetër të lidhur me Jovanovin, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi dje se ka hapur hetim ndaj tij nën dyshimin për veprën penale të dhënies së ryshfetit. Prokuroria ka paraqitur edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Jovanov dyshohet se i ka dhënë ryshfet një personi zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë me qëllim marrjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, pa paraqitur kërkesë dhe pavarësisht faktit se objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore.
Kërkesa për paraburgim, sipas Prokurorisë, është bërë për shkak të rrezikut të arratisjes, si dhe për faktin se ndaj të dyshuarit po zhvillohet një procedurë tjetër penale për vepra të rënda kundër sigurisë publike.
Lënda për zjarrin në diskotekën “Puls” aktualisht është në fazën e procedurës së provave dhe drejtohet nga gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska. Prokurorinë në këtë proces e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNK. Si pasojë e tragjedisë humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u lënduan.
