Ridorëzohet kërkesa e dytë në Ministrinë e Drejtësisë: Provimet profesionale të jepen edhe në gjuhën shqipe

Edhe Kuvendi studentor i Universitetit “Nënë Tereza” ka dorëzuar një kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, përmes së cilës kërkon që studentëve shqiptarë t’u mundësohet dhënia e provimeve profesionale edhe në gjuhën shqipe. Kryetari i Kuvendit Studentor, Besar Sejdi, tha se kur u zëvendësua ministri kanë pritur se do t’i ftojë në takim, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje vetëm heshtje.

“2 vite e gjysmë, dhjetëra kërkesa, 2 protesta të zhvilluara, zëvendësim i ministrave dhe përsëri sot gjendemi në të njëjtën situatë para ministrisë së drejtësisë po e bëjmë të njëjtën kërkesë që të zbatohet Kushtetuta dhe ligji dhe studentëve shqiptarë t’u lejohet provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Kërkojmë nga ministri të njëjtën kërkesë që kemi pasur këto dy vite e gjysmë ta zbatojë kushtetutën, ta zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhëve”, theksoi Besar Sejdi, kryetar i Kuvendit Studentor në UNT.

Studenti i juridikut, Jon Selimi, tha se nuk e përjashtojnë mundësinë sërish të dalin në  protestë.

Më 7 gusht edhe një nga nismëtarët e procesit, Mevlan Ademi, bashkë me Kryetarin e Parlamentit Studentor të UEJL-së, Besjan Rexhepi, ridorëzuam kërkesën  që provimet profesionale studentët shqiptarë të mund t’i japin edhe në gjuhën amëtare. Siç thanë, “studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen, por duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet”.

Back To Top