Rinia e BDI-së në Çair rikthen muralin e UÇK-së: “Nuk fshihen figurat e çlirimtarëve”
Rinia e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair ka rikthyer muralin me figurat e UÇK-së, vetëm pak ditë pasi ai ishte dëmtuar dhe mbuluar me mbishkrime që shkaktuan reagime të forta në opinionin publik.
Aksioni i të rinjve të BDI-së u zhvillua në të njëjtën hapësirë ku më herët ishin vandalizuar portretet e Adem Jasharit, Komandant Telit dhe simbolet e UÇK-së, ngjarje që u cilësua si provokim i rëndë dhe përdhosje e figurave të luftës çlirimtare.
Me rikthimin e muralit, Rinia e BDI-së në Çair përcolli mesazhin se figurat e dëshmorëve dhe simbolika e UÇK-së nuk mund të fshihen apo të zëvendësohen nga aktet e vandalizmit.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa murali i rikthyer është parë nga shumë qytetarë si një përgjigje simbolike ndaj dëmtimit të mëparshëm të figurave të UÇK-së në Çair.
