Një vajzë 19-vjeçare ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur në rrethinën e Strumicës, ndërsa shoferi i cili po drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit është privuar nga liria nga ana e policisë, shkruan Portalb.mk.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), aksidenti ka ndodhur kur automjeti ka dalë nga rruga. Nga lëndimet e marra në vendngjarje ka ndërruar jetë 19-vjeçarja, ndërsa vdekjen e saj e ka konstatuar mjeku i ndihmës së shpejtë.
Drejtuesi i automjetit është arrestuar menjëherë pas aksidentit, pasi testimi me alkooltest ka treguar prani të alkoolit në gjak.
Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrje nga prokurori publik dhe ekipi i sektorit të punëve të brendshme, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj shoferit do të ngrihet kallëzim përkatës penal.
