“Safe City” drejt përplasjes në Kushtetuese – tre iniciativa kërkojnë ta ndalin sistemin

Sistemi “Safe City”, i cili parashikon vendosjen dhe përdorimin e kamerave inteligjente për monitorimin e trafikut dhe sigurisë publike, pritet të përballet me një sfidë serioze në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Tre iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit që mundëson zbatimin e këtij sistemi janë dorëzuar më herët në Gjykatën Kushtetuese. Nismat janë paraqitur nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Selës, Zijadin Sela, si dhe nga një student i Fakultetit Juridik.

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Ana Pavlovska-Daneva, deklaroi për televizionin Sitel se të tre iniciativat tashmë janë bashkuar në një lëndë të vetme dhe janë vendosur në rendin e ditës për seancën që do të mbahet të mërkurën.

Sipas saj, Gjykata do të shqyrtojë argumentet e paraqitura lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit që rregullon zbatimin e sistemit “Qyteti i Sigurtë – Safe City”.

Debati në Gjykatën Kushtetuese pritet të ndiqet me interes nga opinioni publik, pasi qytetarët do të kenë mundësi ta ndjekin drejtpërdrejt (live) zhvillimin e seancës. Vendimi i mundshëm i Gjykatës mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e zbatimit të sistemit “Safe City” në vend.

Back To Top