Shkup, 23 prill – Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ashpër ndaj propozim-ligjit për deputetët që parasheh ndalimin e shtetësisë së dyfishtë, duke e cilësuar atë si një nismë populiste dhe të motivuar politikisht nga VMRO-DPMNE.
Sipas Selimit, kjo nismë përfaqëson “patriotizëm të rrejshëm” dhe synon të maskojë, siç thotë ai, “kompleksin dhe dyfytyrësinë” brenda strukturave të kësaj partie. Ai thekson se, ndërkohë që në publik ndërtohet narrativi për “armiq të jashtëm”, në praktikë një pjesë e funksionarëve dhe familjarëve të tyre posedojnë shtetësi bullgare dhe përfitojnë nga të drejtat që ajo u garanton.
Reagimi i plotë i Sefer Selimit:
Ligji për deputetët që parashikon ndalimin e shtetësisë së dyfishtë nuk është gjë tjetër veçse një floskul politike dhe patriotizëm i rrejshëm i VMRO-DPMNE-së. Në thelb, ai synon të fshehë kompleksin dhe dyfytyrësinë e tyre: deputetë, funksionarë dhe sidomos familjarë të tyre posedojnë shtetësi bullgare, ndërkohë që “armiku” i jashtëm që e projektojnë për publikun janë pikërisht bullgarët.
Kjo është vazhdë e narracionit të tyre populist: shpikja e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm për t’u shfaqur si “shpëtimtarë” dhe “patriotë”. Në realitet, ndërsa bllokojnë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ata vetë, familjarët dhe rrethi i tyre përfitojnë nga benefitet e qytetarëve evropiane përmes shtetësisë bullgare, e cila, ndër të tjera kërkon deklarim të prejardhjes.
Ky është kulmi i dyfytyrësisë së tyre.
Por përtej hipokrizisë politike, ligji i propozuar është problematik edhe nga aspekti kushtetues. Së pari, Maqedonia e Veriut e lejon shtetësinë e dyfishtë. Së dyti, Kushtetuta në nenin 9 garanton barazinë e qytetarëve para lirive dhe të drejtave, ndërsa neni 23 u jep të drejtën qytetarëve të zgjedhin dhe të zgjidhen në funksione publike. Kufizimi selektiv për deputetët bie ndesh me këto parime themelore.
Dhe së treti, pse vetëm deputetët? Pse jo të gjithë funksionarët publikë: Kryeministri, Ministrat, kryetarët e komunave, këshilltarët komunalë, gjykatësit dhe çdo zyrtar tjetër që merr vendime në emër të qytetarëve dhe paguhet nga taksat publike?
Kjo e demaskon edhe më shumë si një masë selektive, jo parimore dhe hipokrite.
Në fund, kjo është reformë një përpjekje e radhës për defokus, shpërqëndrim për të mbuluar dështimet e thella të kësaj qeverie pothuajse në çdo fushë.
