Deklarata e fundit e Izet Mexhitit se është realizuar premtimi për punësimin e 2,000 shqiptarëve në administratën publike po vihet seriozisht në pikëpyetje nga të dhënat zyrtare.
Edhe pse Mexhiti, pavarësisht përplasjeve publike me ministrin Minçev, pretendon se janë përmbushur 2,000 punësime të shqiptarëve, shifrat e publikuara tregojnë një realitet krejt tjetër.
Sipas një analize të Portalb.mk, gjatë vitit 2025 në administratën publike janë punësuar gjithsej 2,471 persona. Kjo do të thotë se, për të qenë i saktë pretendimi i Mexhitit, afro 80 për qind e të gjithë të punësuarve të rinj do të duhej të ishin shqiptarë, gjë që nuk mbështetet nga asnjë e dhënë publike.
Madje, statistikat zyrtare e rrëzojnë edhe më tej këtë pretendim. Në vitin 2024, përfaqësimi i shqiptarëve në administratë ishte 22.3 për qind, ndërsa në vitin 2025 ai ka rënë në 21.7 për qind, duke shënuar një ulje prej 0.6 pikë përqindjeje.
Nëse do të ishin punësuar realisht 2,000 shqiptarë, përfaqësimi i tyre në administratë do të duhej të rritej, e jo të pësonte rënie.
Pikërisht për këtë, Selimi ngre pyetjen: Nëse numrat zyrtarë tregojnë një rënie të përfaqësimit të shqiptarëve, atëherë kë po e gënjen Izet Mexhiti me pretendimin për 2,000 punësime?
Faktet dhe statistikat zyrtare flasin ndryshe nga deklaratat politike, duke e bërë të domosdoshme që pretendime të tilla të mbështeten me të dhëna të verifikueshme dhe jo vetëm me retorikë publike.
