Një situatë shqetësuese raportohet në një çerdhe, ku prindërit janë njoftuar se fëmijët nuk lejohen të sjellin me vete flamujt shqiptarë gjatë festimit të 28 Nëntorit.
Sipas komunikimit të publikuar, fillimisht prindërve u është kërkuar që fëmijët të vijnë të veshur me veshje kombëtare, në mënyrë që së bashku të shënojnë këtë ditë festive. Madje, në njoftimin e parë është sugjeruar që fëmijët të kenë me vete edhe flamuj të vegjël për t’i mbajtur gjatë aktivitetit.
Por, një ditë më pas, prindërve u është dërguar një njoftim tjetër, ku thuhet se flamujt nuk lejohen të sillen në hapësirat e çerdhes dhe kërkohet që fëmijët të mos i marrin me vete.
Ky ndryshim i papritur i udhëzimeve ka shkaktuar reagime dhe ngre pikëpyetje serioze mbi arsyet e këtij vendimi.
Nëse organizohet festimi i 28 Nëntorit dhe fëmijët ftohen të vishen me veshje kombëtare, atëherë lind pyetja: përse ndalohet pikërisht simboli kombëtar që përfaqëson këtë festë?
Deri më tani, nga komunikimi i publikuar nuk bëhet e ditur se kush e ka marrë vendimin, nëse ai vjen nga drejtoria e çerdhes apo nga ndonjë institucion tjetër, dhe cila është baza për këtë ndalesë.
Prindërit dhe opinioni publik meritojnë një sqarim të qartë: Kush i ndaloi flamujt shqiptarë në çerdhe për 28 Nëntor dhe për çfarë arsyeje?
Një festë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në burim paqartësish për fëmijët dhe prindërit e tyre.
