Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot nisin deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Mbrojtja dhe Prokuroria do të kenë në dispozicion tri ditë për të paraqitur argumentet përmbyllëse në këtë proces, i cili lidhet me çështjen kryesore gjyqësore ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Çfarë akuzash rëndojnë ndaj Thaçit dhe të tjerëve?
Sipas aktakuzës, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi dyshohet se gjatë periudhës prill–nëntor 2023 kanë ndërmarrë veprime për të ndikuar në dëshmitë e personave të thirrur nga Prokuroria në procesin kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Smakaj, Kilaj dhe Fazliu akuzohen, secili, për nga një rast të tentimit për pengim të personave zyrtarë dhe një rast të mosbindjes ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Procesi ndaj tyre ka nisur më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria e ka përfunduar paraqitjen e provave më 13 mars.
Çfarë ndodh me Thaçin nëse shpallet i pafajshëm për krime lufte?
Një prej çështjeve që ka ngritur interes në Kosovë është nëse Thaçi do të lirohet menjëherë në rast se shpallet i pafajshëm në procesin kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, një i akuzuar i paraburgosur që shpallet i pafajshëm lirohet menjëherë, përveç rasteve kur ekziston një bazë tjetër ligjore për vazhdimin e paraburgimit.
Në rastin e Thaçit, situata është më komplekse, pasi ndaj tij ekziston edhe procesi i veçantë për pengim të drejtësisë. Për këtë arsye, nëse ai shpallet i pafajshëm në çështjen kryesore, vendimi nëse do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim do t’i takojë gjyqtarit që shqyrton rastin për pengim të drejtësisë.
Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi kryesor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në procesin kryesor, Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për vrasje, torturim, përndjekje dhe vepra të tjera të pretenduara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.
Të katër ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të dënohet me nga 45 vjet burgim.
Gjatë procesit, mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar, ndërsa në gjykim janë pranuar edhe deklarata të shkruara të dëshmitarëve të tjerë.
Vendimi në çështjen kryesore pritet të jetë një prej momenteve më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Procesi në Hagë ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ku një pjesë e opinionit publik dhe përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së e kanë konsideruar atë si proces të padrejtë dhe të njëanshëm.
Në Kosovë janë zhvilluar protesta dhe fushata në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ndërsa në vende të ndryshme janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër”.
