VLEN KRIJOI “LOTARINË HALLALL”
Derisa për vite me radhë partitë përbërëse të VLEN-it e kanë paraqitur lojën e fatit si të papranueshme nga aspekti moral dhe fetar, sot po del në pah një paradoks i madh politik: organizata, klube dhe shoqata të afërta me këto struktura po përfitojnë mijëra euro nga fondet publike, pa kritere të qarta, pa projekte të dukshme dhe pa llogaridhënie para opinionit.
Nëse bixhozi është haram për qytetarët, si u bë hallall kur paratë vijnë nga Lotaria Shtetërore?
Kjo është pyetja që sot kërkon përgjigje publike.
Në vend që fondet publike të ndahen mbi bazën e projekteve konkrete, rezultateve të matshme dhe transparencës së plotë, opinioni po sheh një praktikë të re: shpërndarje të dhjetëra mijëra eurove për shoqata dhe klube të afërta me strukturat e VLEN-it, pa sqarime të mjaftueshme se çfarë aktivitetesh janë realizuar dhe cili ka qenë interesi publik.
Ironia është edhe më e madhe kur disa nga përfituesit promovojnë vlera fetare dhe morale, ndërsa financohen nga institucione që mbushen me të ardhura nga industria e lojërave të fatit.
Për vite të tëra, partitë që sot përbëjnë VLEN-in – Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe BESA – e kanë ndërtuar një pjesë të identitetit të tyre politik mbi kundërshtimin e lojërave të fatit dhe mbi retorikën morale kundër bixhozit. Sot, megjithatë, duket se nuk kanë asnjë problem të pranojnë fonde që burojnë pikërisht nga ai sistem që dikur e dënonin.
A kemi të bëjmë me standarde të dyfishta?
A është krijuar një “lotari hallall”, ku paratë e bixhozit janë të ndaluara për qytetarët, por të lejuara për aktivistët partiakë?
Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta:
- Cilat shoqata kanë përfituar mjete?
- Sipas cilave kritere janë ndarë fondet?
- Çfarë projektesh konkrete janë realizuar?
- Kush e ka monitoruar shpenzimin e këtyre mjeteve?
- Pse shumica e përfituesve rezultojnë të jenë të afërt me strukturat e VLEN-it?
Transparenca nuk është çështje ideologjie apo feje. Transparenca është detyrim ndaj qytetarëve.
Sepse, në fund, paratë publike nuk janë pronë e partive politike, por e qytetarëve.
