🔴 Banka Popullore padit zyrtarët e LSDM-së për deklaratat lidhur me Alta Bankën

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj zyrtarëve të LSDM-së, lidhur me deklaratat e tyre publike për Alta Bankën.

Padia vjen pas deklaratave të përfaqësuesve të kësaj partie, të cilat kanë ngritur debat publik lidhur me funksionimin dhe praninë e Alta Bankës në vend.

Sipas njoftimit të Bankës Popullore, bëhet fjalë për kallëzime penale të dorëzuara në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, për shkak të deklaratave publike me akuza që institucioni i cilëson si serioze dhe të pabazuara.

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat maqedonase, kallëzimet përfshijnë katër funksionarë të LSDM-së:

Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së;

Aleksandar Trajanovski – nënkryetar;

Sasha Dimitrijeviq – sekretar i përgjithshëm;

Andrej Zhernovski – sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Venko Filipçe ka deklaruar se nuk ka informacion lidhur me kallëzimet e paraqitura.

Rasti vjen pas debatit politik për hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut dhe kërkesave të LSDM-së për të hetuar procedurën e miratimit të hyrjes së saj, prejardhjen e kapitalit dhe mbrojtjen e depozitave të qytetarëve.

Përmbajtja e plotë e kallëzimeve dhe hapat e mëtejshëm të Prokurorisë ende nuk janë bërë publike. 

Back To Top