Taravari godet VLEN-in për Alta Bankën: Amnezi politike selektive, ishit në Qeveri kur hyri banka

Shkup, 11 nëntor – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj përfaqësuesve të VLEN-it lidhur me polemikat për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut, duke i akuzuar për shmangie të përgjegjësisë politike dhe përpjekje për t’ia hedhur fajin të tjerëve.

Taravari rikujton se Alta Banka hyri zyrtarisht në vend në shtator të vitit 2025, pikërisht në kohën kur VLEN-i ishte pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa thekson se ky subjekt politik vazhdon të jetë në pushtet edhe sot.

Sipas tij, reagimet e fundit të eksponentëve të VLEN-it dëshmojnë atë që ai e quan **“amnezi politike selektive”**, pasi përgjegjësia kërkohet gjithandej, përveçse brenda koalicionit që drejton vendin.

“Nuk e di nëse kjo është iluzion politik, nënçmim i inteligjencës së qytetarëve apo një përpjekje për t’i trajtuar njerëzit me terapi të harresës kolektive”, shprehet Taravari. Kreu i ASH-së thekson se partia e tij kishte paralajmëruar me kohë për rreziqet që, sipas saj, mund të sillte hyrja e kapitalit bankar serb në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut.

Ai pohon se Aleanca për Shqiptarët, që nga momenti kur u bë publike hyrja e bankës, kishte ngritur shqetësimin për mundësinë e zgjerimit të ndikimit të asaj që e quan “bota serbe”, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në sektorin ekonomik dhe financiar.

“Paralajmërimet tona i mbështetëm edhe në shqetësimet e ngritura në raportin e Komisionit Evropian për ndikimin e botës serbe në vend. Fatkeqësisht, askush nuk deshi t’i dëgjonte vërejtjet tona”, deklaron Taravari. Sipas tij, nëse paralajmërimet e ASH-së do të ishin marrë seriozisht nga institucionet dhe partnerët qeverisës, situata aktuale mund të ishte shmangur.

“Po të merreshin seriozisht paralajmërimet e Aleancës për Shqiptarët, sot ndoshta nuk do të merreshim me trajtimin e pasojave, por do të kishim mundësi ta parandalonim problemin që në zanafillë”, thekson ai.

Taravari kritikon edhe përplasjet e fundit politike lidhur me Alta Bankën, duke vlerësuar se në vend të llogaridhënies, opinioni publik po përballet me një garë për transferimin e përgjegjësisë nga njëra palë te tjetra.

“Ndërsa sot, në vend të përgjegjësisë, kemi një lojë pingpongu politik: njëri ia hedh fajin tjetrit, tjetri të parit, ndërsa qytetarët duhet të shikojnë ndeshjen dhe të harrojnë se kush ishte në pushtet kur banka hyri zyrtarisht në vend”, shprehet kryetari i ASH-së.

Në fund të reagimit, Taravari u dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë përfaqësuesve të pushtetit, duke theksuar se përgjegjësia politike nuk mund të shmanget përmes deklaratave dhe akuzave ndaj kundërshtarëve.

“Ndonjëherë, përgjegjësia nuk matet me atë se sa mirë arrin ta hedhësh fajin te të tjerët, por me atë se çfarë ke bërë kur ke pasur mundësinë ta parandalosh problemin!”, përfundon Taravari.

Back To Top