Pas Tregut të Gjelbër dhe Bunjakovecit, largohen shitësit edhe nga Qendra Klinike!
Shërbimet inspektuese kanë ndërmarrë një aksion të koordinuar në disa lokacione në Shkup, duke larguar shitësit ambulantë që ushtronin veprimtari të paligjshme në hapësirat publike.
Aksioni u zhvillua në Qendrën Klinike, Tregun e Gjelbër dhe në Bunjakovec, nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Inspektoratin e Komunës Qendër.
Sipas Qytetit të Shkupit, qëllimi i kontrolleve është vendosja e rendit komunal, parandalimi i tregtisë së paligjshme, mbrojtja e sipërfaqeve publike dhe krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë tregtarët që veprojnë në përputhje me ligjin.
“Nuk do të lejojmë që zonat publike të uzurpohen dhe të përdoren për shitje të paligjshme”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.
Nga Qyteti bëjnë të ditur se kontrollet dhe aksionet e koordinuara do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, në kuadër të përpjekjeve për ruajtjen e rendit komunal në të gjithë qytetin.
