🔴 Provimi i jurisprudencës në shqip mbetet pezull, grupet e punës pa vendim final

Edhe pse nga Qeveria u paralajmërua se zgjidhja për çështjen e provimit të jurisprudencës mund të vijë “brenda një jave”, afati ka kaluar dhe ende nuk ka një vendim konkret për studentët shqiptarë.

Zv.kryeministri i parë Bekim Sali kishte deklaruar se grupet e punës janë në fazën përfundimtare të konsultimeve me ekspertë dhe se vendimi final mund të merret shumë shpejt. Megjithatë, një javë më pas, çështja vazhdon të mbetet pezull.

Sipas raportimeve, takimet dhe konsultimet ende po vazhdojnë, ndërsa nuk ka informacione zyrtare se kur mund të publikohet draft-zgjidhja. Jozyrtarisht përmendet mundësia që pjesa teorike e provimit të jepet në gjuhën në të cilën studenti ka studiuar, ndërsa pjesa praktike të mbetet vetëm në maqedonisht.

Ndërkohë, studentët shqiptarë vazhdojnë të kërkojnë që provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale të zhvillohen në gjuhën shqipe, kërkesë për të cilën kanë protestuar dy herë.

Back To Top