Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në hyrje të Haraçinës, ku një 48-vjeçar nga Shkupi është plagosur rëndë me armë zjarri.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), rasti është raportuar në SPB Shkup rreth orës 01:50, pasi i plagosuri, A.M. (48), është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Sipas të dhënave fillestare të policisë, ndaj 48-vjeçarit ka shtënë me armë zjarri një person të cilin ai e njihte. I dyshuari, në momentin e incidentit, ndodhej në një automjet së bashku me një person tjetër.
I plagosuri, i cili është artist i njohur, ka marrë plagë të rënda, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes dhe motivi i sulmit ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit, dokumentimin e provave dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personave të përfshirë.
Për momentin, MPB nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e autorit të dyshuar apo nëse ka persona të ndaluar në lidhje me rastin.
