9 mijë euro ‘pak’? Kaltrina Zekolli Shaqiri trondit etikën publike

Kandari moral i zv.ministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, duket se është prishur përfundimisht. Në një intervistë të porositur, ku synon të lajë veten nga akuzat për korrupsion, ajo arrin një efekt të kundërt: e fundos edhe më thellë veten në logjikën që tenton ta mbrojë.


Sipas kësaj logjike të re, revolucionare në fushën e etikës publike, korrupsioni nuk është më problem në vetvete, por bëhet problem vetëm kur shifra është “e denjë për vëmendje”. Në një botë ku flitet për miliona, si mund të merret dikush seriozisht me 9000 euro? Një shumë kaq modeste sa e bën atë politikanën me shumën më të vogël të korruptuar.
Pra, qytetarë të dashur, e politikanë të VLEN-it, merrni shënime: nëse do të bëni keqpërdorim, bëjeni si duhet. Mos u turpëroni me shifra të vogla. Synoni lart. Synoni miliona. Sepse vetëm atëherë fitoni status, respekt dhe, pse jo edhe një intervistë për të “sqaruar” publikun.


Në këtë filozofi të re, keqpërdorimi nuk është më çështje parimi. Është çështje prestigji. Një garë e heshtur për të mos mbetur në nivelin amator të “mijëra eurove”, por për të hyrë në ligën profesionale të milionave.
Ironia thellohet edhe më shumë kur kujtojmë realitetin: në këtë vend ka njerëz që kanë përfunduar pas hekurave për “5 kokrra qebapë”. Drejtësia, si gjithmonë, funksionon me standarde të larta, por vetëm për ata që nuk kanë luksin e mijërave.


Dhe nëse zonja në fjalë ka ende dilema për vlerën e shifrave, ndoshta mund të kërkojë një konsultë nga eksperti i kësaj fuash Bilall Kasami. Një emër që, sipas zërave që qarkullojnë në opinion, ka një përvojë interesante me “optimizimin” e vlerave. Një lloj mentorimi financiar, në stilin: si të shesësh Kombinatin e Duhanit për shumë me pak para.
Në fund, mbetet një pyetje e thjeshtë, por kokëfortë:
Që nga kur keqpërdorimi fillon të matet me krahasime?
Keqpërdorimi është keqpërdorim. Shuma është vetëm detaji.
Por ndoshta ne ende nuk jemi mjaftueshëm “të avancuar” për ta kuptuar këtë standard të ri elitar të moralit publik.

Back To Top