Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj gjashtë personave fizikë dhe tri personave juridikë, të dyshuar për përvetësim në detyrë, pastrim parash dhe punë të pandërgjegjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror dhe institucioneve në vlerë prej 138.877.419 denarësh, ose rreth 2,25 milionë euro.
Në kuadër të aksionit policor të zhvilluar më 2 dhe 3 shtator 2026, janë arrestuar tre nga të dyshuarit. Aksioni është realizuar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në koordinim me Njësinë për Shpërndarje të Shpejtë dhe nën drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale, policia ka kryer kontrolle në disa lokacione në Shkup. Në pranga kanë përfunduar 49-vjeçari S.S., 29-vjeçari Sh.S. dhe 58-vjeçari Z.Ѓ. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 27.735 euro, 38.500 denarë, 750 franga zvicerane, 100 dollarë amerikanë, telefona celularë dhe dy automjete.
Sipas kallëzimit penal, i dyshuari i parë, S.S., në cilësinë e drejtuesit të një kompanie nga fshati Kuçevishte, e cila që nga viti 2011 kishte autorizim për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve, gjatë periudhës nga janari 2021 deri në janar 2026 ka përpiluar dhe dorëzuar raporte të rreme për tarifat e arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve.
Raportet e falsifikuara u janë dërguar Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Kryqit të Kuq, Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Ministrisë së Mjedisit dhe komunave. Në këto veprime ka marrë pjesë edhe 54-vjeçari D.M., i punësuar si drejtues i kontrollit teknik, i cili ishte përgjegjës për përpilimin dhe nënshkrimin e faturave, si dhe për dorëzimin e raporteve.
Paratë dyshohet se janë fshehur përmes një shoqërie brokerimi sigurimesh. Në llogaritë e saj janë arkëtuar tarifat e regjistrimit, edhe pse ligjërisht në llogarinë e një shoqërie brokerimi mund të arkëtohen vetëm pagesat për policat e sigurimit.
Anëtarët ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve, Sh.S. dhe Z.Ѓ., dyshohet se e dinin se këto të hyra nuk buronin nga veprimtaria e sigurimeve. Së bashku me S.S., në cilësinë e anëtarit joekzekutiv të bordit, ata dyshohet se e kanë fshehur origjinën e mjeteve duke i transferuar nga njëra llogari në tjetrën, duke i përzier me të hyrat e rregullta përmes huave dhe duke blerë pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë.
Në keqpërdorime dyshohet se ka marrë pjesë edhe ndihmësdrejtorja për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, 64-vjeçarja T.M., e cila nuk ka përmbushur detyrën e mbikëqyrjes dhe krahasimit të mjeteve të arkëtuara me raportet reale.
Në vend që të kërkonte arkëtimin në kohë të diferencave të konstatuara, ajo dyshohet se e ka njoftuar D.M. për gjendjen e llogarisë së ndërmarrjes publike dhe i ka mundësuar S.S. të përvetësojë në mënyrë të kundërligjshme 48.434.406 denarë nga tarifa rrugore.
Në skemë dyshohet se ka marrë pjesë edhe 40-vjeçari M.D., kontabilist i autorizuar, i cili ka futur të dhëna të pavërteta në dokumentacionin, deklaratat tatimore dhe llogaritë vjetore të kompanisë nga Kuçevishte.
Dëmi i përgjithshëm prej 138.877.419 denarësh i është shkaktuar drejtpërdrejt buxhetit dhe institucioneve. Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore është dëmtuar me 48.434.406 denarë, Kryqi i Kuq me 1.485.926 denarë, Ministria e Mjedisit me 5.585.098 denarë, ndërsa komunat me 83.371.988 denarë për tarifa komunale dhe të hyra buxhetore.
Me kallëzimin penal për pastrim parash dhe ndihmë në kryerjen e veprave penale janë përfshirë edhe tri persona juridikë, dy nga Shkupi dhe një nga Kuçevishte.
Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rolin e plotë të të gjithë personave dhe subjekteve të përfshira. Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
