Kryetari i Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, është parë në një sofër iftari së bashku me përfaqësues të koalicionit VLEN, një zhvillim që ka nxitur reagime dhe komente në opinionin publik.
Takimi vjen vetëm pak kohë pas deklaratave dhe qëndrimeve të fundit të Kostadinovskit lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në disa procese institucionale, të cilat u kritikuan nga një pjesë e spektrit politik shqiptar dhe u cilësuan si të papranueshme.
Pavarësisht këtyre polemikave, prania e tij në një iftar me përfaqësues të VLEN-it ka hapur diskutime të reja mbi raportet mes figurave institucionale dhe aktorëve politikë. Kritika të ndryshme janë shfaqur në rrjetet sociale, ku disa e kanë konsideruar këtë veprim si kontradiktor me qëndrimet e tij të fundit ndaj çështjes së gjuhës shqipe.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar as nga Darko Kostadinovski dhe as nga përfaqësuesit e VLEN lidhur me këtë takim.
