Pavarësisht tensioneve të brendshme dhe kritikave që kanë ardhur nga vetë strukturat e koalicionit, Fatmir Limani dhe Arben Fetai do të vazhdojnë të mbeten pjesë e eshalonit ekzekutiv të VLEN-it. Edhe pse në partitë e tyre amë kanë humbur peshën politike, ata vazhdojnë të ushtrojnë funksionet qeveritare me pëlqimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, por pa koordinim të drejtpërdrejtë me koalicionin VLEN.
Kjo situatë ka vënë në siklet koalicionin, i cili së fundmi ka paralajmëruar se synon të shndërrohet në parti të vetme politike. Sipas raportimit të Alsat TV, zhvillimet e fundit tregojnë se pa miratimin e mandatarit Mickoski, VLEN nuk ka fuqi të zëvendësojë kuadrot e veta në qeveri.
Nga VLEN thonë se aktualisht prioritet është procesi i organizimit të brendshëm dhe jo rikonstruimi i qeverisë.
“Tash jemi në proces të krijimit të VLEN dhe nuk diskutohen tema në lidhje me rikonstruimin e qeverisë apo shkarkimeve. Në momentin që hapet tema e rikonstruimit të qeverisë do ta diskutojmë brenda VLEN dhe me partnerët qeveritarë”, deklarojnë nga koalicioni.
Çështja e ndikimit të VLEN-it në vendimmarrjet qeveritare u bë temë përplasjeje muajin e kaluar mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të Bilall Kasami, i cili kërkoi shkarkimin e ministrit Fatmir Limani.
“Çdo subjekt politik pjesë e koalicionit qeveritar bën propozime dhe sigurisht në konsultim me kryeministrin përcakton edhe emrat. Në këtë rast, unë konstatoj se ministri në fjalë në shumë raste ka lënë shumë për të dëshiruar”, deklaroi Bilall Kasami më 12 shkurt 2026.
Përgjigja e kryeministrit Hristijan Mickoski ishte e prerë:
“Unë jam mandatar i qeverisë dhe unë e formoj qeverinë. Nëse dikush e ka harruar këtë, ja t’ua kujtojmë.”
Megjithatë, Fatmir Limani nuk u shkarkua. Debatet u shtuan edhe më shumë pas udhëtimit të tij javën e kaluar në Tiranë, ku mori pjesë në një iftar të organizuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pikërisht në të njëjtën ditë kur përfaqësuesit e VLEN-it zhvilluan iftar me Hristijan Mickoski.
Fotografitë nga Tirana, ku Fatmir Limani shihej i shoqëruar me liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe politikanin Arben Taravari, shkaktuan reagime dhe kritika të shumta në rrjetet sociale, madje edhe nga vetë përfaqësues të VLEN-it.
