Shkëndija e Haraçinës ka siguruar promovimin në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, pasi mposhti Pelisterin në ndeshjen play-off pas ekzekutimit të penalltive me rezultat të përgjithshëm 7:6. Koha e rregullt u mbyll me barazim 1:1.
Në pjesën e parë, Pelisteri ishte më aktiv dhe krijoi disa raste të mira shënimi përmes Ivanovskit, ndërsa në anën tjetër Nuhija goditi shtyllën. Pas 45 minutave të para, rezultati mbeti i pandryshuar, 0:0.
Shkëndija kaloi në epërsi në minutën e 54-të me golin e Nazifit. Pelisteri pati mundësinë të barazonte nga pika e bardhë, por portieri Stolevski priti penalltinë e Ivanovskit.
Megjithatë, skuadra nga Manastiri arriti të shmangë humbjen në minutën e 90+8-të, kur Petar Petkovski shënoi me kokë për 1:1 dhe e çoi ndeshjen në penallti.
Në serinë e goditjeve nga pika e bardhë, Shkëndija tregoi më shumë qetësi dhe triumfoi me 7:6, duke siguruar kështu ngjitjen në elitën e futbollit vendor. Heroi i ndeshjes ishte portieri Stolevski, i cili priti tri penallti dhe pati rol vendimtar në suksesin historik të ekipit nga Haraçina.
