Jo vetëm politikë? Kadastra zbulon lidhjen pronësore Ganiu–Rama në parcelën me 7 shtëpi vikendi

Dokumente zyrtare nga Agjencia e Kadastrës kanë nxjerrë në pah një lidhje pronësore mes ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama.

Sipas të dhënave të publikuara, në Fletën Pronësore nr. 730 në Komunën Kadastrale Lisec-Vongrad, si bartës të së drejtës figurojnë Visar Ganiu dhe Nedim Rama, të lidhur me parcelën 1/455 në të njëjtin lokalitet.

Dokumentet tregojnë se për këtë parcelë është hapur edhe Fleta për Parashënim të Ndërtimit nr. 1213, ku si bartës i së drejtës figuron Visar Ganiu. Në parcelë janë evidentuar gjithsej shtatë objekte me destinim “A4-3 – shtëpi vikendi”, duke ngritur pikëpyetje për origjinën e investimit dhe natyrën e marrëdhënieve pronësore ndërmjet dy zyrtarëve.

Publikimi i këtyre dokumenteve ka hapur debat publik dhe ka shtuar kërkesat për transparencë lidhur me mënyrën e financimit të kompleksit, deklarimin e pasurisë dhe çdo marrëdhënie të mundshme biznesore mes personave që kanë ushtruar ose vazhdojnë të ushtrojnë funksione të rëndësishme publike.

Rasti pritet të tërheqë vëmendjen e institucioneve kompetente, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë pronësi të përbashkët dhe me ndërtimin e shtatë shtëpive vikendi.

Back To Top