Skandaloze: Duke përmendur Zvërnecin, deputetja e VLEN tenton të minojë kauzën e studentëve shqiptarë në RMV

Deklarata e deputetes së VLEN, Valbona Adili-Emini, ku ajo vë në pikëpyetje protestat e studentëve shqiptarë në Shkup dhe i lidh ato me mungesën e reagimeve për çështjen e Zvërnecit në Shqipëri, është tentativë për të devijuar dhe minuar kauzat reale të rinisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në vend që të fokusohet në kërkesat për barazi, zbatim të gjuhës shqipe dhe të drejta institucionale, ajo hap një debat tërësisht të zhvendosur nga realiteti politik dhe shoqëror në vend, duke relativizuar protestat që lidhen me çështje thelbësore për shqiptarët në RMV.

“Është interesant fakti që studentët dhe protestuesit tanë mobilizohen për çdo kauzë, kësaj radhe nuk po bëhen të gjallë në protestat për Zvërnecin. Pse kjo heshtje?
A është mungesë interesi për mbrojtjen e mjedisit dhe interest public, apo dikush dëshiron ta vërë në siklet Edi Ramën?
Qytetarët kanë të drejtë të shtrojnë pyetje dhe të kërkojnë standard të njëjta për të gjitha kauza. Sepse kur zëri ngrihet vetëm për disa cështje dhe heshtet për të tjerat lind dyshimi se parimet po zëvendësohen nga interest politike.
Nëse proteston për parime, proteston gjithmonë. Nesë proteston vetëm kur të leverdis politika atëherë nuk po mbron parime, por interesa. Zvërneci meriton zë. Heshtja nuk është përgjigje”, ka shkruar në facebook, deputetja e VLEN.

Një qasje e tillë, nga një deputete e koalicionit qeverisës, në praktikë shërben si mbrojtje e narrativës së pushtetit dhe dobëson zërin e studentëve shqiptarë në Shkup, në vend që si deputete të zotohet për kauzën shqiptare në RMV.

Pas disa minutash, e vërshuar nga komentet e shumta negative, deputetja e ka fshirë postimin.

Back To Top