Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka shkarkuar Visar Ganiun nga posti i zëvendësdrejtorit të Qendrës për Edukim, duke i dhënë fund angazhimit të tij në këtë institucion të rëndësishëm për zhvillimin e kuadrove trajnuese.
Në vend të Ganiut pritet të emërohet Mensur Jakupi, trajner me përvojë të gjatë në futbollin vendor dhe posedues i licencës UEFA Pro. Jakupi ka punuar me disa klube të njohura, përfshirë KF Gostivarin, ekipet e të rinjve të Shkëndijës së Tetovës, ndërsa aktualisht është pjesë e akademisë së KF Arsimit.
Shkarkimi i Ganiut vjen në një periudhë kur në opinion po shtohen debatet rreth mënyrës së funksionimit dhe menaxhimit të strukturave edukative brenda FFM-së. Ndërkohë, Jakupi konsiderohet si një kuadër me përvojë në fushën e edukimit të trajnerëve, pasi ka qenë pjesë e instruktorëve dhe edukatorëve në Qendrën për Edukim pranë FFM-së.
Ai gjithashtu ka udhëhequr përfaqësueset U17 dhe U19 të Maqedonisë, duke sjellë një bagazh të konsiderueshëm profesional në detyrën e re që pritet të marrë.
