“Ku është shqipja?” Azir Aliu duartroket inaugurimin me tabelë vetëm në maqedonisht
Në një video të publikuar së fundmi, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shihet duke marrë pjesë dhe duke duartrokitur në inaugurimin e një institucioni publik, tabela zyrtare e të cilit është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.
Pamjet kanë nxitur reagime, pasi sipas dispozitave ligjore në fuqi, institucionet publike janë të obliguara që emërtimin zyrtar ta kenë të shënuar edhe në gjuhën shqipe. Mungesa e shqipes në tabelën e institucionit përbën një shkelje të qartë të ligjit dhe të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Këtë herë kritikat nuk drejtohen ndaj partnerëve maqedonas të qeverisë, por ndaj vetë ministrit shqiptar, i cili, sipas reagimeve, në vend që të kërkonte respektimin e ligjit, mori pjesë në promovimin e një institucioni ku ai nuk zbatohet.
Sipas kritikëve, pamje të tilla dëshmojnë se problemi nuk qëndron vetëm te ata që e anashkalojnë gjuhën shqipe, por edhe te përfaqësuesit shqiptarë në institucione që tolerojnë ose legjitimojnë në praktikë shkelje të tilla.
“Ku është shqipja?” mbetet pyetja që po shtrohet pas këtij inaugurimi, ndërsa kërkesat për përgjegjësi politike dhe reagim institucional po bëhen gjithnjë e më të zëshme.
