Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur dyshime serioze për mënyrën e ndarjes së kontratave publike në Komunën e Çairit, duke kërkuar hetim urgjent nga institucionet kompetente dhe duke paralajmëruar informimin e institucioneve evropiane për, siç thuhet, mosveprimin institucional ndaj rasteve të dyshuara të korrupsionit.
Në reagimin e saj, BDI thekson se dokumentet që kanë arritur në parti hapin dilema serioze lidhur me shpenzimin e mjeteve publike në komunë. Sipas tyre, kompania NUM KONSTRAKSHN LTD, e themeluar më 10 korrik 2024, ka siguruar katër kontrata nga Komuna e Çairit me vlerë të përgjithshme prej 3.462.665 eurosh.
Sipas të dhënave të publikuara nga BDI, kontratat janë:
• Kontrata nr. 1: 88.433.315 denarë (rreth 1.44 milion euro)
• Kontrata nr. 2: 59.861.572 denarë (rreth 973 mijë euro)
• Kontrata nr. 3: 61.138.706 denarë (rreth 994 mijë euro)
• Kontrata nr. 4: 3.520.412 denarë (mbi 57 mijë euro).
Sipas opozitës shqiptare, bëhet fjalë për një kompani të themeluar vetëm pak muaj para se të fillojë të fitojë kontrata me vlera milionëshe nga komuna.
BDI thekson se dy nga kontratat janë nënshkruar gjatë mandatit të ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ndërsa dy të tjerat gjatë periudhës kur, sipas tyre, komunën e kontrollojnë strukturat politike të Izet Mexhitit.
“Kjo ngre dyshime serioze se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me vazhdimësi të të njëjtit model të funksionimit dhe të të njëjtave qarqe interesi”, thuhet në reagim.
Partia opozitare ka ngritur pikëpyetje edhe rreth adresës së kompanisë. Sipas dokumenteve që citon BDI, selia e kompanisë figuron në rrugën “Dizhonska” nr. 5/X në Çair.
“Dokumentacioni i disponueshëm tregon se bëhet fjalë për një adresë private banimi, ndërsa në të njëjtën adresë figurojnë edhe subjekte të tjera afariste të lidhura me persona të së njëjtës familje. Këto fakte përbëjnë arsye të mjaftueshme për verifikim të plotë institucional”, thuhet më tej në reagim.
BDI kërkon përgjigje për disa çështje që i konsideron kyçe, duke pyetur se si një kompani e themeluar në vitin 2024 ka arritur të fitojë mbi 3.4 milionë euro para publike, cilat kanë qenë referencat dhe kapacitetet e saj reale, kush ka verifikuar përmbushjen e kritereve për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit dhe nëse janë kontrolluar lidhjet e mundshme afariste, familjare apo politike që mund të kenë ndikuar në ndarjen e kontratave.
“Pse institucionet vazhdojnë të heshtin përballë rasteve që në çdo demokraci funksionale do të meritonin hetim të menjëhershëm?”, pyet BDI. Në reagim thuhet gjithashtu se pothuajse çdo aferë që del në opinion nga Çairi kalon pa reagim serioz institucional.
“Kur institucionet heshtin përballë dyshimeve të arsyeshme për keqpërdorim të parave publike, krijohet bindja se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet sipas ligjit, por sipas nevojave politike të pushtetit”, vlerëson partia. BDI kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Prokuroria Publike që të verifikojnë menjëherë të gjitha rrethanat që lidhen me këto kontrata dhe t’i bëjnë publike gjetjet e tyre.
Njëkohësisht, partia njofton se do të informojë Delegacionin e Bashkimit Evropian, Komisionin Evropian, deputetët e Parlamentit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë për atë që e cilëson si mosveprim institucional përballë dyshimeve serioze për korrupsion në Komunën e Çairit. (koha.mk
