36 projekte, vetëm 1 shqiptar: Stoilkoviqi nën akuza për favorizim të projekteve serbe

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së ndarjes së fondeve nga Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, duke akuzuar ministrin Ivan Stoilkoviq për favorizim të projekteve të lidhura me komunitetin serb dhe margjinalizim të organizatave shqiptare.

Sipas BDI-së, nga gjithsej 36 projekte të financuara me rreth 18 milionë denarë, vetëm një shoqatë shqiptare ka përfituar mbështetje financiare. Në të njëjtën kohë, një numër i konsiderueshëm projektesh janë ndarë për organizata maqedonase, serbe dhe komunitete të tjera.

Partia opozitare veçon faktin se pesë projekte janë financuar për iniciativa të lidhura me komunitetin serb, ndërsa disa organizata serbe nga Kumanova kanë përfituar më shumë se një projekt secila.

BDI vlerëson se kjo shpërndarje është në kundërshtim me qëllimin e programit, i cili sipas kritereve zyrtare duhet të promovojë bashkëjetesën, karakterin multietnik të shoqërisë, zvogëlimin e distancës etnike dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Nga kjo parti gjithashtu theksojnë se një pjesë e projekteve të financuara trajtojnë tema që, sipas tyre, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me promovimin e marrëdhënieve ndëretnike, duke ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e tyre me objektivat e thirrjes publike.

BDI kërkon publikimin e plotë të procesit të vlerësimit, transparencë mbi kriteret e përzgjedhjes së projekteve dhe një auditim të pavarur për të verifikuar nëse fondet publike janë ndarë në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

“Promovimi i marrëdhënieve ndëretnike nuk mund të realizohet duke lënë në margjina komunitetin shqiptar dhe duke financuar projekte që nuk i shërbejnë bashkëjetesës dhe barazisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Back To Top