Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj fyerjes së rëndë të bërë ndaj vajzës dyvjeçare të gazetarit Rami Mislimi, duke e cilësuar aktin si të papranueshëm dhe duke kërkuar përgjegjësi.
Në reagimin e tij, Osmani thekson se sulmet ndaj një fëmije nuk mund të tolerohen dhe se heshtja përballë rasteve të tilla do të kishte pasoja të rënda për shoqërinë.
“Fyerja e gërditshme ndaj vajzës dyvjeçare të gazetarit Rami Mislimi është e papranueshme. Por tragjedia e vërtetë do të jetë nëse kjo kalon pa përgjegjësi. Përgjegjësia nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim. Nëse kjo normalizohet, nesër do të jetë vonë për t’u habitur se ku ka përfunduar debatin publik”, ka shkruar Osmani.
Ai kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të mos mbetet pa përgjegjësi, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve dhe ruajtja e standardeve të debatit publik janë përgjegjësi e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë.
