Dega e BDI-së në Tetovë ka bërë reagime të ashpra pas shfaqjes së nënkryetarit të Tetovës, Albi Qamili para fëmijëve në një ngjarje kulturore. Krejt kjo, sipas BDI-së kemi të bëjmë me një ironi të madhe pas heshtjes së turpshme dhe mos kërkimit të faljes të personit në fjalë pasi kërcënimi përmes një gjuhe të papranueshme vajzën e gazetarit Rami Mislimi.
Albi Qamili, përmes këtyre sjelljeve, thotë BDI, është bërë symbol i kalbjes morale të pushtetit lokal.
BDI apelon deri tek Bilall Kasami që të distancohet publikisht nga Albi Qamili ndërsa ky i fundit të largohet nga çdo pozitë dhe përgjegjësi publike
Më poshtë komunikata e plotë e degës së BDI-së në Tetovë
Personi Albi Qamili, i cili në mënyrë të paligjshme mban një pozitë inekzistente dhe vetëquhet zëvendëskryetar i Komunës së Tetovës, është bërë simboli i turpit dhe i kalbjes morale që ka përfshirë këtë pushtet lokal.
Kaluan pesë ditë nga kërcënimi dhe përdorimi i një gjuhe të papranueshme ndaj një vajze dyvjeçare, ndërsa Albi Qamili ende nuk ka kërkuar as edhe falje publike. Askush, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, nuk është distancuar dhe nuk e ka dënuar qartë këtë sjellje të turpshme.
Për ta bërë ironinë edhe më të rëndë, i njëjti person paraqitet në ngjarje kulturore ku marrin pjesë edhe fëmijë, duke u përpjekur ta rehabilitojë imazhin e tij përmes fotografive dhe paraqitjeve publike, por pa treguar as pendim, as empati dhe as ndjenjë përgjegjësie.
Edhe një herë kërkojmë që personi A.Q, i cili ka shfaqur një sjellje monstruoze duke kërcënuar një fëmijë dyvjeçar, të largohet menjëherë nga çdo pozitë dhe përgjegjësi publike.
Kryetari Bilall Kasami duhet të distancohet publikisht prej tij dhe ta zhveshë nga çdo kompetencë, derisa institucionet përkatëse ta sqarojnë plotësisht rastin dhe ligjshmërinë e pozitës që ai pretendon se mban.
Në të kundërtën, të gjithë ata që heshtin, e shoqërojnë dhe e mbështesin, bëhen pjesë e “normalizimit” të kësaj sjelljeje abnormale dhe amorale.
Sepse një shoqëri fillon të kalbet pikërisht atëherë kur paturpësia bëhet standard, heshtja bëhet bashkëfajësi dhe pandëshkueshmëria shndërrohet në strehë për njerëzit që nuk kontrollojnë dot as gjuhën, as impulset dhe as sjelljen e tyre.
Turpi ka emër dhe heshtja bart përgjegjësi
