Paralelja shqipe në shkollën “Penko” në Butel vazhdon të jetë në qendër të përplasjes mes Komunës së Butelit, drejtuesve të shkollës dhe Ministrisë së Arsimit.
Komuna e Butelit dhe drejtoresha e SHFK “Penko”, Mevlide Kryeziu, e arsyetojnë mospranimin e nxënësve nga Çairi duke iu referuar Ligjit për Arsimin Fillor dhe rajonizimit të shkollave. Sipas tyre, regjistrimi duhet të bëhet në bazë të zonës së përcaktuar për secilën shkollë.
Kryetari i Butelit, Darko Kostovski, është shprehur kategorikisht se shkollat e komunës nuk mund të pranojnë nxënës nga komunat e tjera, duke theksuar se një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me rregullat e rajonizimit.
Ndërkohë, drejtoresha Kryeziu ka deklaruar se pranimi i nxënësve nga jashtë rajonit në të kaluarën ka ndikuar në numrin e nxënësve në shkollat e Çairit dhe ka krijuar rrezik për zvogëlimin apo mbylljen e paraleleve atje.
Por krejt tjetër është qëndrimi i zëvendësministrit të Arsimit, Driton Sulejmani.
Sulejmani thotë se ligji krijon mundësi për pranimin e nxënësve nga komunat e tjera, sidomos në rastet kur ata jetojnë në afërsi të shkollës dhe kur numri i nxënësve është i vogël.
“Paraleleja mund të shpëtohet dhe nuk duhet të mbyllet”, është qëndrimi i tij.
Ai ka deklaruar se Ministria e Arsimit po e ndjek rastin dhe se do të kërkojë informacione nga shkolla, Komuna e Butelit dhe prindërit, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në përputhje me ligjin dhe në interes të nxënësve.
Sipas Sulejmanit, nëse në paralele janë 18 nxënës, nuk ka arsye që ajo të mbyllet dhe zgjidhja mund të gjendet përmes miratimit nga Ministria.
Por pikërisht këtu lind pyetja kryesore:
Nëse zëvendësministri i Arsimit thotë se paralelja nuk duhet të mbyllet, ndërsa Komuna dhe drejtoria e shkollës mbrojnë qëndrimin e kundërt, kush ka kompetencë ta zgjidhë problemin?
Për momentin, përplasja është brenda të njëjtit pushtet: Komuna e Butelit dhe drejtoria flasin për rajonizim, ndërsa zëvendësministri thotë se duhet të gjendet një mundësi që paralelja shqipe të mos mbyllet.
Dhe ndërsa Sulejmani paralajmëron zgjidhje dhe bën deklarata, prindërit dhe nxënësit presin veprimin konkret që do ta zgjidhë çështjen.
