Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit, duke i cilësuar ato si tri goditje të rënda ndaj shqiptarëve brenda vetëm tri ditësh.
Sipas Osmanit, lista është alarmante:
🔴 Vetëm 9 shqiptarë nga 310 të pranuar në Shkollën e Policisë – një përfaqësim që ngre pikëpyetje serioze për trajtimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë.
🔴 Ratko Mladiqi, kasapi i Srebrenicës, madhërohet nga funksionarë dhe struktura të pushtetit – ndërsa familjet e viktimave ende mbajnë plagët e gjenocidit.
🔴 6 milionë euro i hiqen projektit të bulevardit “Hasan Prishtina” në Vizbeg, një prej zonave më të rëndësishme për biznesin shqiptar, dhe rialokohen për një pjesë tjetër të qytetit.
“Tre ditë, tre skandale. Çdo ditë nga një goditje. Çdo ditë nga një thikë pas shpine.” – është mesazhi i Osmanit.
Ai ngre pyetjen se sa gjatë do të vazhdojnë shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, ndërsa premtimet për barazi, përfaqësim dhe zhvillim mbeten vetëm fjalë.
Nga institucionet e sigurisë, te dinjiteti i viktimave dhe deri te investimet në zonat shqiptare, sipas Osmanit, goditjet po vijnë njëra pas tjetrës – ndërsa ata që premtuan ndryshimin heshtin.
