Karamuço ngre alarmin: Tentativë ndaj ambasadorit shqiptar në Shkup
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka bërë publike pretendime shqetësuese lidhur me sigurinë e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë një interviste në ABC News Albania, Karamuço deklaroi se disa javë më parë persona të panjohur kanë tentuar të hyjnë në banesën e ambasadorit shqiptar në Shkup. Sipas tij, gjatë këtij incidenti është helmuar edhe qeni i familjes së ambasadorit.
Ai shtoi se, në një rast tjetër, është sulmuar edhe automjeti zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë në mes të Shkupit, ndërsa ambasadori ndodhej në një takim zyrtar. Sipas Karamuços, automjeti, megjithëse mbante flamurin shqiptar, është goditur nga persona të maskuar.
Deklaratat e tij janë bërë në kuadër të diskutimit për zhvillimet e fundit që lidhen me sigurinë dhe aktivitetet e grupeve ekstremiste në rajon. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet kompetente lidhur me këto pretendime. (Albeu.com)
