Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i shoqëruar nga shefi kabinetit, Faton Ahmeti, kanë qëndruar sot në Batushë të Gjakovës për t’i shprehur ngushëllimet familjes së Heroit të Kombit, Jashar Salihu, pas ndarjes tragjike nga jeta të djalit të tij, Blerim Salihu.
“Sot, në Batushë të Gjakovës, isha për ngushëllime te familja e Heroit të Kombit, Jashar Salihu, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta të djalit të tij, Blerim Salihu”, ka shkruar Ahmeti.
Ai theksoi se në këto momente të vështira ka ndarë dhimbjen me familjarët dhe të afërmit e të ndjerit.
“Në këto çaste të rënda dhimbjeje, nënës, bashkëshortes, vëllezërve, mbarë familjes Salihu dhe të afërmve ua shpreha ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke u lutur që Zoti t’u japë forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, u shpreh Ahmeti.
Në fund të mesazhit të tij, ai nderoi kujtimin e Blerim Salihut duke thënë: “Qoftë i përhershëm kujtimi për Blerim Salihun. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.”.
