Aleanca për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zhvillimet e djeshme dëshmojnë qartë nevojën urgjente për vendosjen e mekanizmit të Badenterit edhe në këtë institucion.
Nga ASH-Sela vlerësojnë se vendimi i fundit i Kushtetueses ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të komuniteteve etnike, veçanërisht të shqiptarëve në vend. Sipas tyre, mungesa e mekanizmit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese krijon hapësirë për vendime që mund të prekin balancën ndëretnike dhe parimet e barazisë.
Në reagim theksohet se përvoja e deritanishme ka treguar se mekanizmi i Badenterit ka qenë një garanci e rëndësishme për ruajtjen e ekuilibrit ndëretnik në institucione të ndryshme shtetërore, prandaj zgjerimi i tij edhe në Gjykatën Kushtetuese shihet si domosdoshmëri.
ASH-Sela u bën thirrje institucioneve dhe faktorëve politikë që të hapin debat serioz për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, me qëllim që ky mekanizëm të zbatohet edhe në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
