Shkup, 25 maj Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka intensifikuar akuzat ndaj drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama, duke kërkuar nga institucionet shtetërore që të nisin menjëherë hetime për prejardhjen e pasurisë së tij. Në një reagim publik, BDI thekson se Rama vazhdon të heshtë përballë pyetjeve që, sipas tyre, lidhen me krijimin e një kapitali të konsiderueshëm financiar, pronash luksoze dhe aktiviteteve biznesore.
“Prej disa ditësh, drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama, hesht në vend që t’ia spjegojë opinionit publik se si me pagën e një të punësuari në Komunën e Çairit, e më pas si këshilltar i Izet Mexhitit, ka arritur të krijojë kapital të madh financiar, në prona të paluajtshme dhe aktivitete biznesi”, thuhet në reagimin e BDI-së. Sipas partisë, mungesa e përgjigjeve dhe e transparencës ka shtuar dyshimet në opinion, ndërsa deri më tani, siç pretendojnë ata, nuk është ofruar asnjë sqarim për pasurinë e përmendur në publikimet e tyre. “Përveç mungesës së përgjigjeve dhe transparencës, publiku deri më tani nuk ka parë asnjë sqarim për pasurinë për të cilën posedojmë prova. Përkundrazi, VLEN lëshon anketa të porositura për epërsi të rrejshme ndaj BDI-së”, theksojnë nga partia.
BDI rikujton se gjatë ditëve të fundit ka publikuar një sërë të dhënash që, sipas saj, hapin dilema serioze mbi pasurinë e fituar nga Rama. Në reagim përmendet kompania “Near 2015”, e lidhur, sipas tyre, me Nedim Ramën dhe Kaltrina Zekolli Shaqirin, përmes së cilës pretendohet se janë realizuar pagesa për reprezentacione dhe shërbime hotelerie në periudhën kur të përfshirët ushtronin funksione publike.
“Përmes kompanisë ‘Near 2015’, e lidhur me të dhe me Kaltrina Zekolli Shaqirin, janë kryer pagesa për reprezentacione dhe shërbime hotelerie pikërisht në periudhën kur ata ushtronin funksione publike. Më pas, hapëm edhe çështjen e kompanisë IT ‘HOST MKD’, përmes së cilës janë faturuar shërbime edhe ndaj institucioneve, mes tyre edhe ndaj Komunës së Çairit, në kohën kur Rama ishte i punësuar aty”, deklaron BDI.
Sipas tyre, kompania më vonë ka ndryshuar emrin dhe strukturën pronësore, ndërsa “gjurmët e pronësisë transferohen te persona të afërt me rrethin politik të VLEN-it”.
Megjithatë, siç theksohet në reagim, pikëpyetjet më të mëdha lidhen me pasurinë e deklaruar si luksoze dhe aktivitetet e biznesit të Nedim Ramës. “Publiku mësoi se ai posedon dhe jep me qira apartamente luksoze në Mavrovë, të cilat reklamohen me çmime rreth 150 euro për natë, ndërsa paralelisht lidhet edhe me biznesin rent-a-car me automjete të regjistruara për punë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”, thuhet në deklaratë. BDI pretendon se në këtë rrjet marrëdhëniesh shfaqen edhe struktura mediatike, duke e cilësuar të gjithë rastin si një “rrjet serioz interesash politike e biznesore”.
“Po flasim për një rrjet serioz interesash politike e biznesore për të cilat publiku ka të drejtë të dijë”, theksojnë nga partia, duke ngritur një sërë pyetjesh publike: “Si ka mundësi që një person që deri dje ishte funksionar komunal dhe këshilltar, sot disponon kapital për apartamente luksoze, flotë automjetesh dhe disa kompani? Nga vijnë paratë? Kush e financoi këtë rritje?” Në fund të reagimit, BDI kërkon veprim institucional dhe hetim të plotë të rastit. “Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit menjëherë të hapë procedurë të detajuar për verifikimin e gjendjes pasurore të Nedim Ramës, i cili madje nuk ka paraqitur fare fletë anketuese”, kërkon partia. Po ashtu, BDI kërkon që “Drejtoria e Policisë Financiare të zhvillojë hetim financiar për prejardhjen e kapitalit”, si dhe “Prokuroria Themelore Publike të konstatojë nëse ekzistojnë elemente të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pastrimit të parave apo konfliktit të interesit”.
