BDI reagon ashpër: Relativizimi i gjuhës shqipe nga Kasami është i papranueshëm dhe politikisht i rrezikshëm
BDI ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bilall Kasamit, i cili në një paraqitje në media në Shqipëri tha se çështja e studentëve është “pjesërisht” e zgjidhur përmes Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas reagimit, ky interpretim është i pasaktë dhe tenton të relativizojë një të drejtë të garantuar me ligj, i cili sipas tyre është i qartë, detyrues dhe nuk lë hapësirë për interpretime politike sipas interesave të ditës. BDI thekson se mungesa e vullnetit për zbatim nuk e mohon ekzistencën e së drejtës.
Në reagim thuhet gjithashtu se pretendimet se një ligj e njeh të drejtën e studentëve ndërsa një tjetër jo, janë të pavërteta dhe se Ligji për Gjuhët, si ligj special, ka përparësi në këtë rast. Sipas BDI-së, çdo përpjekje për “harmonizime të reja ligjore” paraqet rrezik për zvarritje dhe dobësim të zbatimit të së drejtës gjuhësore.
BDI kritikon edhe idenë e konsultimeve dhe dakordësive politike për një çështje që sipas tyre është e rregulluar qartë me ligj, duke theksuar se zbatimi i ligjit nuk mund të varet nga vullneti politik apo marrëveshje të reja.
Në reagim theksohet se studentët kanë protestuar për zbatim të një të drejte ekzistuese dhe jo për hapje debatesh të reja politike, ndërsa organizimi i protestave, sipas tyre, ka qenë qytetar dhe jo partiak.
BDI gjithashtu akuzon se përfaqësues të caktuar politikë po paraqesin zgjidhje publike ndërsa në praktikë, sipas tyre, pengohet zbatimi i gjuhës shqipe, duke krijuar kontradikta brenda vetë qeverisë.
Në fund, reagimi e cilëson të papranueshme qasjen e relativizimit të të drejtave gjuhësore, duke theksuar se ato nuk duhet të trajtohen si çështje politike të përkohshme, por si obligim ligjor i shtetit.
