🔴 Para protestës te patroni Mickoski, pas revoltës studentore humbën gjurmët Mexhiti dhe Kasami!
SHKUP – Vetëm pak orë para protestës studentore për mbrojtjen e Ligjit për Gjuhët, krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilal Kasami, nxituan të publikojnë një premtim në rrjetet sociale: “Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira…”.
Por pas reagimeve të forta dhe vazhdimit të revoltës studentore, dy liderët u zhdukën nga skena publike. Kanë kaluar mbi 48 orë dhe ende nuk ka asnjë sqarim konkret, as vendim, as “lajm të mirë”, ndërsa studentët vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.
Burime politike thonë se postimi u bë në panik, si përpjekje për të qetësuar zemërimin e studentëve dhe për të fituar kohë. Mirëpo, reagimi nuk dha efektin e pritur. Përkundrazi, kërkesat për llogaridhënie u shtuan edhe më shumë.
Ndërkohë, në opinion po shtrohet pyetja: ku janë sot Mexhiti dhe Kasami? Pse heshtin pas premtimit publik? Dhe a ishte statusi i tyre vetëm një manovër për të zbutur protestën?
Studentët ndërkohë paralajmërojnë se nuk do të ndalen me statuse e premtime boshe, por kërkojnë veprime konkrete dhe mbrojtje reale të të drejtave gjuhësore.
