SHKUP – Një tjetër skandal që prek drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve po zhvillohet në heshtje. Kompania A1 Macedonia, në bashkëpunim me Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka promovuar projektin “One Community”, por në materialet dhe komunikimet zyrtare mungon gjuha shqipe.
Pavarësisht se shqiptarët janë popull shtetformues dhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend, ajo është anashkaluar plotësisht në një projekt që prezantohet si iniciativë për të gjithë qytetarët.
Edhe më shqetësues është fakti se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, nuk ka reaguar fare. Heshtja e tij ka ngritur pyetje të shumta në opinion: a është ai aty për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, apo për të justifikuar vendime që i injorojnë ato?
Mosreagimi i Isenit po interpretohet si pranim i një diskriminimi të hapur institucional ndaj gjuhës shqipe. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe reagim të menjëhershëm, si nga MPB-ja ashtu edhe nga përfaqësuesit shqiptarë në qeveri.
Kur gjuha shqipe përjashtohet nga institucionet dhe projektet publike, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë heshtin, lind pyetja e natyrshme: kujt po i shërbejnë në të vërtetë?
