LAJMI I FUNDIT: Nga sot përgjysmohen punimet në Korridorin8, shteti i vonon pagesat ndaj “Bechtel & Enka”

Shkup, 7 mars – Punimet në projektin e madh infrastrukturor Korridori 8 rrezikojnë të ngadalësohen ndjeshëm, ndërsa pritet edhe reduktim i fuqisë punëtore, për shkak të vonesave në pagesat nga ana e shtetit ndaj kompanisë realizuese. Kështu ka bërë të ditur Sefer Ramadani nga Kërçova, i cili thotë se është pjesë e projektit që nga fillimi i tij, shkruan gazeta KOHA.

Sipas tij, gjatë një takimi të mbajtur mëngjesin e sotëm, udhëheqësia e kompanisë “Bechtel & Enka” i ka njoftuar punëtorët për vendimin që intensiteti i punimeve të ulet ndjeshëm.

Sipas Ramadanit, kompania ka paralajmëruar se puna në projekt duhet të përgjysmohet, ndërsa parashihet edhe reduktim i fuqisë punëtore, shkurtim i orarit të punës dhe ulje e intensitetit të punimeve deri në 50 për qind.

Ai thekson se arsyeja kryesore për këtë vendim janë mosrealizimi i pagesave nga shteti sipas obligimeve të dakorduara, nga të cilat kompania mbulon edhe pagat e punëtorëve të angazhuar në projekt.

Ramadani shton se kompania “Bechtel & Enka”, një konsorcium amerikano-turk me përvojë në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në mbarë botën, sipas asaj që u është komunikuar punëtorëve, nuk është përballur më parë me pengesa të tilla në projektet e saj.

“Korridori 8 është projekti më i madh infrastrukturor në vend dhe duhej të ishte krenari dhe zhvillim për shtetin. Megjithatë, për shkak të papërgjegjësisë institucionale po përballet me vështirësi serioze”, thekson Ramadani, transmeton KOHA.

Ai gjithashtu vlerëson se për situatën e krijuar përgjegjësinë duhet ta mbajnë institucionet shtetërore dhe qeveria, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe transparencë për fatin e projektit dhe të punëtorëve të angazhuar në të.

Korridori 8 konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut, që synon të lidhë vendin me korridoret rajonale dhe të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën rrugore dhe ekonomike të rajonit.

Megjithatë, para dy ditësh, ka qenë ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski që paralajmëroi se segmenti Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë mund të mos jetë pjesë e Korridorit 8, pasi siç u arsyetua ai, UNESCO ka dilemat e saja. Pati regime të shumta se qëllimshëm po shkëputet Struga, ndërsa u paralajmëruan pasoja nëse kjo pjesë që lidhet me Shqipërinë, lihet anash.

Back To Top