Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ka mohuar se është konsultuar nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, lidhur me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.
Deklarata vjen pasi Slaveski kishte pohuar se, megjithëse Banka Popullore është institucion i pavarur, për këtë çështje kishte zhvilluar bisedime edhe me Qeverinë.
Koçoska theksoi se Ministria e Financave nuk ishte informuar as për negociatat, as për blerësit e mundshëm të Bankës së Manastirit, ndërsa për zhvillimet aktuale rreth “Alta Bankës” kryesisht mëson nga mediat.
Megjithatë, ministrja siguroi se nuk pret destabilizim të sistemit bankar, duke u bërë thirrje depozituesve të qëndrojnë të qetë.
Ajo paralajmëroi takim me guvernatorin Slaveski gjatë ditës.
