Pakënaqësitë ndaj funksionarëve dhe mungesës së përgjegjësisë po dalin në pah edhe nga vetë radhët e VLEN-it. Këtë herë ka reaguar Zadin Arslani, kuadër i Lëvizjes BESA, këshilltar në Komunën e Studeniçanit dhe koordinator i VLEN-it për Batincën, i cili ka pranuar se qytetarët po shprehin gjithnjë e më shumë ankesa për mënyrën se si po trajtohen kërkesat e tyre.
Përmes një reagimi publik, Arslani theksoi se shumë qytetarë ankohen se funksionarët nuk u përgjigjen telefonatave dhe nuk po i marrin seriozisht problemet e tyre. Sipas tij, neglizhenca dhe mungesa e përgjegjësisë kanë krijuar pakënaqësi të madhe te qytetarët.
“Qytetarët janë të lodhur nga kjo neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie, prandaj është koha që kush nuk e kryen punën si duhet ta lirojë vendin dhe të mos mbajë pozitë pa rezultate”, ka deklaruar Arslani.
Deklarata e tij po shihet si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj funksionarëve të VLEN-it, ndërsa në opinion po shtohen zërat se pakënaqësitë ndaj performancës së kuadrove qeveritare nuk po fshihen më as nga vetë eksponentët e koalicionit. Reagimi i Arslanit vjen në një periudhë kur qytetarët gjithnjë e më shpesh po shprehin pakënaqësi për mungesën e rezultateve konkrete dhe komunikimit me institucionet.
