Valon Haskaj: Nga “Shari” te Shkumësi, Florian Nesimi harron datat dhe fabrikon “mentorë”

Valon Haskaj ka reaguar ndaj deklaratave të analistit Florian Nesimi, i cili tentoi ta lidhë një video të Bujar Osmanit para tabelës së gjelbër me paraqitjet publike të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Haskajt, krahasimi i Nesimit bie që në kontrollin më elementar të fakteve, sepse videoja e Osmanit është publikuar më herët se paraqitjet e Vuçiqit që përdoren për të ndërtuar narrativën e “mentorit politik”.

“Florian Nesimi ka një problem serioz me datat. Bujar Osmani e përdori tabelën në vitin 2023 për t’ua shpjeguar qytetarëve kornizën negociuese me Bashkimin Evropian, ndërsa paraqitjet e Vuçiqit që sot përdoren për krahasim janë shumë më të vona. Pra, sipas logjikës së Nesimit, dikush paska kopjuar në vitin 2023 diçka që Vuçiqi do ta bënte më vonë”, ka deklaruar Haskaj.

Ai ka vlerësuar se kjo nuk përbën analizë politike, por manipulim të kronologjisë dhe përpjekje për të krijuar asociacione emocionale me Serbinë, luftën dhe shërbimet sekrete.

“Nesimi e heq datën nga fotografia, e përmbys rendin e ngjarjeve dhe më pas e shet insinuatën si analizë. Kjo është propagandë e ndërtuar mbi shpresën se publiku nuk do t’i kontrollojë faktet”, ka theksuar Haskaj.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe procesin e lustracionit ndaj babait të Florian Nesimit, diplomatit të ndjerë Mahi Nesimi.

“Ka një ironi të madhe në faktin se Florian Nesimi sot etiketon të tjerët përmes asociacioneve me shërbimet serbe, ndërkohë që babai i tij, Mahi Nesimi, ishte shpallur nga Komisioni për Verifikimin e Fakteve si bashkëpunëtor me pseudonimin ‘Shari’. Vendimi më vonë ishte rrëzuar nga Gjykata Administrative dhe Mahi Nesimi e kishte konsideruar procesin politikisht të motivuar”, ka deklaruar Haskaj.

Ai ka sqaruar se askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për proceset apo akuzat ndaj prindërve të tij, por se kjo përvojë duhet ta kishte bërë Florian Nesimin më të kujdesshëm në përdorimin e etiketave të rënda.

“Askush nuk e gjykon Florianin për babain e tij. Por pikërisht ai duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër sa e padrejtë është të prodhosh akuza për lidhje me shërbime dhe mentorë serbë përmes fotografive të manipuluara dhe asociacioneve pa prova”, ka thënë Haskaj.

Në fund, Haskaj ka porositur se faktet janë të thjeshta:

“Bujar Osmani përdori tabelën për të shpjeguar një dokument evropian. Vuçiqi u shfaq para tabelës më vonë. Florian Nesimi i hoqi datat dhe fabrikoi ‘mentorin’. Nga ‘Shari’ te shkumësi, metoda e etiketimit mbetet e njëjtë, vetëm manipulimi është më i dobët.”

Back To Top