🔴 Gjysmë miliardë euro në kasafortën e ALTA-s, çfarë ka ditur Banka Popullore e Serbisë?

Natën mes së premtes dhe së shtunës rreth orës dy e gjysmë pas mesnate, Banka Popullore e Serbisë (BPS) në profilin e saj në “X” njoftoi se ALTA Bankës në pronësi të Davor Macura i është revokuar licenca e punës. Pas vendimit të 31 tetorit me të cilin bankës i hiqet licenca, Gjykata Tregtare në Beograd më 3 nëntor e emëroi Agjencinë për Sigurimin e Depozitave si drejtor falimentues të bankës, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Davor Macura u arrestua të hënën më datën 2 nëntor me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar për shkak të dyshimit se “në periudhën deri më 31 tetor”, me ndihmën e dy punonjësve në bankë ka nxjerrë para nga kasaforta e bankës dhe në këtë mënyrë ka përfituar përfitim pasuror të kundërligjshëm prej rreth 45 miliardë dinarësh (rreth 380 milionë euro).

BIRN i dërgoi disa pyetje avokatit të Davor Macurës, Ahmed Delimegjac, i cili tha se në atë moment prokuroria ende nuk e kishte marrë në pyetje klientin e tij, prandaj nuk do i komentonte pyetjet.

Në vendimin për revokimin e licencës së punës së ALTA Bankës, të cilin BIRN pati mundësi ta shqyrtojë, nuk ka pretendime për nxjerrjen e parave nga kasaforta. Në të thuhet se banka qendrore ka konstatuar se gjendja financiare dhe likuiditeti i ALTA Bankës “janë përkeqësuar ndjeshëm”, duke i rrezikuar kështu “interesat e deponuesve ose të klientëve të tjerë të bankës”.

Banka Popullore në këtë vendim thotë se më 30 shtator të vitit 2026, në arkën e bankës – “në bankënota dhe monedha metalike” – ka pasur afër 60 miliardë dinarë (më shumë se gjysmë miliard euro). Sipas raportit të bankës, nga këto para të gatshme në valutë të huaj ka pasur rreth 100 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër ka qenë në dinarë.

Banka Popullore ka konstatuar edhe se për vetëm dy ditë – më 28 dhe 29 tetor – nga banka janë tërhequr depozita në vlerë prej rreth 140 milionë eurosh, por nuk specifikohet se cilët klientë e kanë bërë këtë. Nga BPS thonë edhe se për shkak të “shkrimeve negative në media” në periudhën nga 26 deri më 29 tetor, “ishte dëmtuar reputacioni” i ALTA Bankës. Përveç kësaj, për shkak të sasisë së madhe të parave të gatshme dhe mundësisë së “mashtrimit të brendshëm ose të jashtëm, zjarrit, përmbytjes, tërmetit”, banka mund të kishte pësuar humbje më të madhe se vlera e kapitalit të saj, gjë që do ta kishte “rrezikuar vazhdimin e operacioneve të saj”.

Të dhënat për sasinë e jashtëzakonshme të parave të gatshme – për të cilat BPS gjatë kontrollit afatshkurtër ka konstatuar se mund të zhduken për shkak të mashtrimit, përmbytjes, zjarrit ose tërmetit – për vite me radhë kishin qenë publikisht të disponueshme për të gjithë.

Sipas raporteve zyrtare financiare të bankës, në fund të vitit 2025 në arkë, të paktën në letër, ka pasur rreth 50 miliardë dinarë para të gatshme,ndërsa një vit më parë rreth 40 miliardë.

Banka Popullore e Serbisë – guvernatorja Jorgovanka Tabakoviq dhe katër zëvendësguvernatorët – nuk iu përgjigjën pyetjeve të shumta të BIRN.

Përgjigje nuk dërguan as nga Agjencia për Sigurimin e Depozitave, e as nga Prokuroria për Krim të Organizuar.

A ka pasur vërtetë para të gatshme?

Përpikërisht paratë e gatshme në kasafortë janë misteri më i madh në këtë rast.

Për disa nga ekspertët me të cilët biseduam, fizikisht është e pamundur që në bankë të ketë pasur 60 miliardë dinarë para të gatshme, e Macura të ketë nxjerrë 45 miliardë, siç deklaruan nga Prokuroria për Krim të Organizuar.

“Njerëzit shpesh nuk e mendojnë madhësinë. Bëhet fjalë për tonelata para. Kjo nuk është nga ato situatat ku dikush hyn në kasafortë dhe nxjerr disa thasë me para. Për këtë do duhej të ishin përdorur kamionë,” tha njëri nga bashkëbiseduesit.

Një bashkëbisedues tjetër thotë se ky është tregues se ato para, në fakt, nuk kanë qenë fare në bankë.

“Pyetja thelbësore është nëse vërtetë ka pasur para të gatshme, domethënë nëse shumat që ALTA Banka ia ka raportuar BPS-së përputheshin me gjendjen faktike të parave të gatshme në kasafortë. Është shumë më logjike që gjatë një periudhe më të gjatë kohore në kasafortë të jetë futur sasi më e vogël parash të gatshme nga ajo që është regjistruar në kontabilitet. Nëse vërtet ka pasur para të gatshme më e logjikshme do të ishte që ato të përdoreshin për zgjidhjen e problemeve të likuiditetit”, tha një nga bashkëbiseduesit e BIRN dhe shtoi se nuk ka asnjë mundësi që dikush për disa ditë të nxjerrë 380 milionë euro në para të gatshme.

“Ky është operacion i ndërlikuar për të cilin nevojitet logjistikë shumë e madhe, sidomos nëse merret parasysh masa dhe vëllimi i një sasie të tillë parash – pa e përmendur këtu edhe sigurinë e operacionit”, shtoi ai.

Çfarë duhet të ketë ditur BPS-ja

Siç tashmë u përmend licenca është revokuar natës mes 30 dhe 31 tetorit, ndërsa pikërisht të shtunën, më 31 tetor, të katër zëvendësguvernatorët njoftuan se me gjendjen faktike në ALTA Banka, “e cila devijon në mënyrë drastike nga raportet që banka ia ka dorëzuar BPS-së”, u njoftuan vetëm në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbrëmjes të Këshillit Ekzekutiv të premten më datën 30 tetor.

Të katër zëvendësguvernatorët e BPS-së – Zheljko Joviq, Ana Ivanoviq, Dragana Staniq dhe Nikolla Dragasheviq – i bënë thirrje prokurorisë kompetente të përcaktojë se pse duhej të vinte deri te vendimi për revokimin e licencës, domethënë, të përcaktohet përgjegjësia e mundshme penale e personave përgjegjës në BPS.

“Mendojmë se është posaçërisht e rëndësishme të përcaktohet se kur dhe në cilin nivel drejtues ka pasur njohuri për rreziqet dhe parregullsitë e vërejtura, në çfarë mënyre janë shqyrtuar gjetjet, vlerësimet profesionale dhe paralajmërimet e punonjësve në njësitë organizative kompetente, si dhe nëse në bazë të informacioneve të disponueshme janë marrë me kohë masat e duhura në kuadër të kompetencave të përcaktuara me ligj”, njoftuan zëvendësguvernatorët.

As ata, e as nga kabineti i guvernatores Tabakoviq nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN – për atë se kur BPS ka kryer kontroll të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë të ALTA Bankës, çfarë ka ndërmarrë në lidhje me jolikuiditetin evident dhe të vazhdueshëm gjatë vitit 2026, dhe pse edhe krahas të gjithë indikatorëve kaq vonë ka filluar kontrollin e bankës…

Nga ana tjetër, disa bashkëbisedues të BIRN konfirmuan se në Bankën Popullore prej viteve ekziston praktika që zëvendësguvernatorët të “anashkalohen” gjatë marrjes së vendimeve, domethënë për disa gjëra të mos dinë aspak deri sa ato të ndodhin, sepse udhëheqësia nuk e ka respektuar “zixhirin e komandës”.

Se problemet e ALTA Bankës nuk kanë ndodhur brenda natës mund të shihet edhe nga vetë vendimi për revokimin e licencës.

BPS në gjetjet e saj ka konstatuar se ALTA Banka gjatë vitit 2026 vazhdimisht ka pasur probleme me likuiditetin dhe ka regjistruar “diferenca negative kumulative”. Kjo do të thotë se banka për të mbledhur sa më shumë depozita me të cilat do të përmirësonte likuiditetin ka ofruar norma interesi gjithnjë e më të larta, ndërsa normat e interesit për kreditë kanë mbetur të njëjta.

Norma mesatare e ponderuar e interesit për të gjitha depozitat ka qenë 3,13 përqind, përkundër mesatares prej 1,59 përqind në nivel të sektorit bankar, thuhet në vendim.

Edhe një nga gjetjet e rëndësishme të BPS-së ka qenë edhe se depozitat e përgjithshme të sektorit publik, ndërmarrjeve publike dhe bankave në falimentim në fund të shtatorit kanë arrirë në rreth 400 milionë euro, gjegjësisht një të katërtën e të gjitha depozitave në bankë. Në të njëjtën ALTA Banka për këto depozita ka paguar norma shumë të larta interesi – 5,61 përqind për depozitat në dinarë dhe 4,58 përqind për ato në euro.

Është konstatuar edhe koncentrim i depozitave, domethënë se në fund të muajit shtator të vitit 2026 tre deponuesit më të mëdhenj kanë mbajtur më shumë se 10 përqind të të gjitha depozitave, ndërsa dhjetë deponuesit më të mëdhenj më shumë se 21 përqind.

“BPS ka pasur arsye serioze për ndërhyrje. Rënia e menjëhershme e depozitave gjatë datave 28 dhe 29 tetor, përqendrimi i lartë i depozitave, problemet në strukturën e mjeteve likuide dhe moskryerja e detyrimeve të caktuara paraqesin sinjale serioze për likuiditet të rrezikuar. Prandaj nuk do ta kisha vënë në pyetje nevojën për ndërhyrje të menjëhershme rregullatore”, tha për BIRN Nikolla Fabris, profesor i rregullt në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit, pasi gazetari i BIRN e njoftoi me gjetjet më të rëndësishme nga vendimi për revokimin e licencës.

Sipas tij, BPS mund ta kishte revokuar licencën, ndërsa administrata e përkohshme paraqiste alternativë që meriton shqyrtim serioz, me vërejtjen se nuk mund të pretendohet se udhëheqësia e përkohshme me siguri do t’i kishte zgjidhur problemet e bankës.

Për profesorin Fabris mbetet e hapur edhe çështja nëse zbatimi më i hershëm i masave mund ta kishte parandaluar përkeqësimin e menjëhershëm të likuiditetit dhe humbjen e besimit të deponuesve.

“Argumenti më i fortë në favor të vendimit të BPS-së është fakti se më 30 tetor banka nuk ka përmbushur detyrime të caktuara ndaj klientëve dhe kreditorëve, në kushtet e tërheqjes së menjëhershme të depozitave. Megjithatë, nuk dihet se për çfarë shumash bëhet fjalë”, tha Fabris.

Krahas profesorit Fabris BIRN bisedoi edhe me disa ekspertë të tjerë, të cilët dëshiruan të mbeten anonimë. Të gjithë pa përjashtim e thanë të njëjtën gjë – Banka Popullore është dashur që shumë kohë para kontrollit të bërë në fund të tetorit të dijë se cila është gjendja në ALTA Banka – si guvernatorja Tabakoviq, ashtu edhe zëvendësguvernatorë të caktuar.

“Ekzistojnë raporte ditore për likuiditetin që Këshilli ekzekutiv i çdo banke duhet t’ia dorëzojë në rrugë elektronike Bankës Popullore, në adresë të caktuar, ku përcillet se çfarë po ndodh. Ruajtja e një sasie kaq të madhe parash të gatshme duhet të jetë gjithmonë objekt kontrolli, jo për shkak se është e paligjshme, por thjesht sepse është jonormale. Çdo bankë normale përpiqet t’i plasojë mjetet e veta, të paktën mund të blejë letra shtetërore me vlerë në vend që të ruajë para të gatshme në kasafortë”, tha një nga bashkëbiseduesit për BIRN.

“BPS është dashur të veprojë në mënyrë preventive, të dërgojë kontroll, të lëshojë urdhëra, e madje pastaj, nëse asgjë nga këto nuk do kishte dhënë rezultat, në fund të shkohet në falimentim. Mua më duket se BPS-së i ka ikur momenti për të reaguar në kohë, kështu që mbase në fund nuk ka pasur as opsion tjetër përveç falimentimit. Por kjo me siguri është edhe rezultat i parregullsive të mundshme në punën e mëparshme të bankës, miratimit të kredive për persona të lidhur e kështu me radhë”, tha një bashkëbisedues tjetër për BIRN, me vërejtjen se BPS në bazë ditore e di gjendjen e likuiditetit të bankës.

“Ajo ka mundur t’i dërgonte atje mbikëqyrësit e vet, të cilët kanë pasur të drejtë edhe ta kufizonin nxjerrjen e devizave, ta kontrollonin bazën juridike, të ndalonin… Nëse është e vërtetë se një e katërta e aktivës ka qenë në para të gatshme, kjo është katastrofë – zakonisht kjo pjesëmarrje sillet nga tre deri në katër përqind”, shtoi bashkëbiseduesi.

Kronologjia: Nga “çdo gjë është nën kontroll” deri te revokimi i licencës

Informacionet e para – ndonëse jozyrtare – se diçka e jashtëzakonshme po ndodh në ALTA Banka te opinioni publik arritën përmes rrjeteve sociale që të martën, më 27 tetor, dy ditë pasi Partia Progresive Serbe, e cila deri atëherë ishte në pushtet, pësoi humbje të thellë në zgjedhjet parlamentare.

Sipas këtyre pretendimeve nxjerrja e parave nga ALTA Banka dhe transferimi i tyre jashtë vendit kishte filluar që të hënën.
Por, po atë ditë – më 27 tetor – Banka Popullore publikoi njoftim në të cilin thuhej se çdo gjë është nën kontroll, se të gjitha transferet po kryhen përmes kanaleve të rregullta të qarkullimit të pagesave, në përputhje me rregulloret dhe procedurat, si dhe se BPS kryen në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyrje dhe kontroll të punës të të gjitha bankave.

Pastaj, më 29 tetor vetë guvernatorja Tabakoviq lëshoi njoftim të ri, dukshëm më të gjatë, por pa informacion konkret, i cili fillonte me fjalinë:“Nëse besojmë në një të ardhme më të mirë, vendimet tona nuk duhet të udhëhiqen nga frika prej saj, por nga besimi te faktet”.

Edhe në këtë njoftim, shkurtimisht, u tha se BPS po ndjek dhe po mbikëqyr çdo gjë “në përputhje me ligjin dhe pavarësisht nga rrethanat aktuale publike dhe politike”.

Njoftimi i radhës nga BPS i publikuar në mesnatë mes 30 dhe 31 tetorit thoshte se banka qendrore ia ka revokuar licencën e punës ALTA Bankës.

Nga vendimi me të cilin bankës së Davor Macurës i hiqet licenca në fakt shihet se BPS më 29 tetor – dy ditë pasi opinioni publik u alarmua për ngjarjet e pazakonta – në procedurën e “kontrollit të tërthortë” (“nga dokumentacioni”, gjegjësisht pa dalë në terren, në vetë bankën) ka marrë vendim sipas të cilit ALTA Banka duhej, mes tjerash, “më së voni në afat prej tre ditësh pune nga pranimi i Vendimit ta bëjë regjistrimin e parave të gatshme në arkë, me qëllim që të verifikohet përputhshmëria e gjendjes faktike të parave të gatshme në arkë me vlerën kontabile”.

Pra, BPS e ka ngarkuar vetë bankën e kontrolluar – dhe atë në afat prej tre ditësh pune, që në atë moment nënkuptonte më së voni deri të martën, më 2 nëntor – të numërojë se sa para ka në arkë.

Por, në vend që të priteshin këto “tre ditë pune”, që të nesërmen, më datën 30 tetor – siç shkruan në vendimin për revokimin e licencës – BPS “ka arritur te informacioni” se ALTA Banka e ka ndërprerë ekzekutimin e urdhrave për transferimin e mjeteve të disa prej klientëve të saj, se vetëm gjatë dy ditëve paraprake nga banka janë tërhequr depozita në vlerë prej rreth 140 milionë eurosh dhe se banka nuk i ka shlyer detyrimet në bazë të “huave me afat njëditor” në afatin e parashikuar.

Pas kësaj BPS ka vlerësuar se “ekziston mundësi e madhe që banka së shpejti të bëhet jolikuide”,domethënë se ekziston mundësia që gjendja e bankës të jetë e tillë sa që ajo me gjasë nuk do të mund të vazhdojë me punë – prandaj ia ka revokuar licencën e punës.

As Prokuroria për Krim të Organizuar nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN – për atë se pse kanë pritur nga 27 tetori, kur nga BPS kanë kërkuar informacione lidhur me punën e ALTA Bankës, deri më 30 tetor, kur BPS u është përgjigjur. Po atë ditë Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar e ka urdhëruar Shërbimin për Luftë kundër Krimit të Organizuar ta kontrollojë punën si të ALTA Bankës, ashtu edhe të BPS-së.

Si BPS ashtu edhe Prokuroria për Krim të Organizuar kanë pritur me ditë të tëra. Sipas shkrimeve të “Nova ekonomija”, e cila ka biseduar me punonjës të ALTA Bankës, që nga e marta njerëzit në bankë “kanë vënë re se paratë po tërhiqen në masë të madhe nga llogaritë”. Këtë e bënin si personat juridikë ashtu edhe ata fizikë, ndërsa transferimet e parave në llogari të bankave të tjera ishin edhe “në shuma prej disa milionësh”.

Çfarë më tej: Kush e kontrollon tani ALTA Bankën

Banka tani është “në duart” e Agjencisë për Sigurimin e Depozitave. Por, edhe kjo ngre një çështje interesante.

Përkatësisht, edhe vetë Agjencia ka pasur depozita në ALTA Banka dhe atë mjetet e bankave të “vjetra” në falimentim, gjë që mund të shihet nga vendimi për revokimin e licencës së punës.

Me qenë se as Agjencia e as drejtoresha e saj Ljubica Panteliq nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN, nuk ishte e mundur të verifikohet nëse përveç depozitave të bankave në falimentim në ALTA Banka gjendeshin edhe depozita nga mjetet e vetë Agjencisë, si dhe nëse Agjencia i ka shpërndarë në mënyrë të barabartë depozitat edhe në banka të tjera komerciale.

Një nga “teoritë” e dy bashkëbiseduesve të BIRN është se ALTA Banka u dërgua menjëherë në falimentim – në vend që të zbatoheshin masa të tjera nga kompetencat e BPS-së – sepse procesi i ristrukturimit do të ishte shumë më transparent se sa shkuarja e menjëhershme në falimentim.

Përndryshe, Këshilli Drejtues i Agjencisë për Sigurimin e Depozitave përbëhet nga tre anëtarë – dy nga Ministria e Financave (kryetar i Këshillit Drejtues është ndihmësministri i financave), dhe një nga Banka Popullore e Serbisë – drejtori i Sektorit për Kontrollin e Punës së Bankave në BPS.

“Për ta banka është më pak e rrezikshme e vdekur se sa e gjallë”, tha një burim për BIRN.

Sipas ligjit, të siguruara janë të gjitha depozitat e personave fizikë dhe të ndërmarrjeve të vogla e të mesme deri në 50.000 euro, ndërsa pagesa e tyre duhet të fillojë në ditët në vijim.

Depozitat e personave të mëdhenj juridikë dhe shumat mbi 50.000 euro nuk janë të siguruara.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.

Back To Top