Presidenca në tavolinën LVV-LDK: Bekim Sejdiu pranon të hyjë në garë

Pas takimeve mes drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Presidenca duket se është një nga pikat kyçe të marrëveshjes politike mes dy subjekteve.

Bekim Sejdiu ka pranuar kandidaturën e përbashkët të LVV-së dhe LDK-së për president të Kosovës, duke hyrë kështu zyrtarisht në garën për postin më të lartë institucional të vendit.

Në konferencën për media pas takimit me Albin Kurtin dhe Lumir Abdixhikun, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin duke pasur parasysh përgjegjësinë që bart posti i presidentit dhe rrethanat aktuale politike në Kosovë.

“Është nder i madh” dhe “besim” e cilësoi Sejdiu propozimin e dy partive, ndërsa theksoi se është i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell kjo kandidaturë.

Sejdiu tha se, pavarësisht se angazhimi i tij deri tani ka qenë kryesisht në fushën akademike dhe profesionale, ka vendosur t’i përgjigjet propozimit politik.

“Jam vënë në shërbim të Republikës dhe qytetarëve tanë”, deklaroi ai.

Kandidatura e Sejdiut vjen në një moment të ndjeshëm politik për Kosovën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse marrëveshja LVV-LDK do të jetë e mjaftueshme për sigurimin e mbështetjes së nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Sejdiu ndërkohë u bëri thirrje institucioneve dhe subjekteve politike që të gjejnë rrugëdalje nga situata aktuale dhe të sigurojnë vazhdimin e funksionimit institucional të vendit.

Back To Top