Nga Lirim Dullovi
Pavarësia nuk arsyetohet me kalimin e viteve. Arsyetohet me shtetin që ndërton. Dhe ne, për fat të keq, 35 vjet më vonë ende nuk e kemi arsyetuar ekzistencën e këtij shteti dhe pavarësinë e tij.
Shiko rreth vetes: rrugët, ujësjellësin, kanalizimin, sistemin energjetik, shkollat, ambulancat e spitalet. Mbi 90 për qind e asaj që ende shfrytëzojmë u ndërtua në ish-Jugosllavinë e Titos, i cili e udhëhoqi atë shtet për 35 vjet. Për po aq vite pavarësi, ne nuk arritëm të ndërtojmë as 10 për qind të asaj që gëzojmë sot.
Shumë shtete përreth dikur ishin prapa nesh në zhvillim, ndërsa sot kanë ecur shumë përpara nesh.
Dështuam ta ndryshojmë rrënjësisht cilësinë e jetës së qytetarit. Arritëm deri aty sa lajm i vitit bëhet kur autoritetet dhe institucionet kompetente e pastrojnë bërllokun para dyerve të shtëpive tona. Atë që në një shtet normal do ta quanim punë elementare të komunës, këtu e prezantojmë si arritje.
Dhe, ndoshta më keq se kaq, pavarësinë nuk e arritëm as në mentalitet. Edhe 35 vjet më vonë vazhdon të jetë e pranishme një mendësi që sheh nga Beogradi dhe që, hapur apo heshtur, ushqen hegjemonizmin serb në rajon. Këtë e dëshmon edhe glorifikimi i figurës së Ratko Mladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kur edhe pas 35 vjetësh pavarësi figura të tilla gjejnë hapësirë për admirim e glorifikim, madje edhe në kabinetin e Qeverisë së këtij shteti, atëherë është e qartë se pavarësinë e shtetit nuk e kemi shoqëruar as me pavarësi politike, as me pavarësimin e mentalitetit.
Ndërkohë, Evropa prej vitesh na thotë: ejani, bëhuni pjesë e saj. Na hap perspektivën e një hapësire politike, ekonomike dhe qytetëruese. Ndërsa ne, paradoksalisht, mendojmë se Evropa nuk na meriton. Gjejmë arsye për të mos ecur, prodhojmë konflikte, ushqejmë nacionalizma dhe vazhdojmë të humbim kohë.
E koha po na kushton shtrenjtë.
Vendi po zbrazet. Fëmijët tanë po largohen, të rinjtë po e ndërtojnë të ardhmen diku tjetër, ndërsa popullata që mbetet po plaket. Po humbim pikërisht njerëzit për të cilët një shtet duhet të ekzistojë.
Prandaj, për mua ky përvjetor nuk është ditë për flamuj, fjalime dhe urime. Është ditë për një pyetje shumë më të rëndë:
Çfarë bëmë me këtë shtet gjatë gjithë kësaj kohe?
35 vjet janë më se të mjaftueshme që të mos kemi më kë ta fajësojmë.
