“Cilën shtëpi, zonja Presidente?” – Imrane Veliu Aliu i përgjigjet Siljanovska-Davkovës: “Njëri pronar, tjetri mysafir”
Imrane Veliu Aliu i është përgjigjur Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovës, pas deklaratës së saj se “askush tjetër nuk do të na e rregullojë shtëpinë përveç nesh vetë”.
Në reagimin e saj, Veliu Aliu e vë në pikëpyetje vetë kuptimin e “shtëpisë” për të cilën flet Presidentja, duke ngritur çështjen e barazisë dhe ndjenjës së përkatësisë së të gjithë qytetarëve.
“Cilën shtëpi, zonja Presidente? Sepse para se të na kërkoni ta rregullojmë shtëpinë, ndoshta duhet të biem dakord së pari kush jeton në të dhe kujt i përket ajo”, shkruan ajo.
Veliu Aliu i rikujton Presidentes edhe sloganin e përdorur gjatë fushatës së saj: “Да ја направиме Македонија повторно твоја” – “Ta bëjmë Maqedoninë përsëri tënden”, si dhe mesazhin “Горда” – “Krenare”.
“Dhe sot, pas gjithë kësaj kohe, dhe ku na dërgoi ajo ‘ftesë’, më falni, Presidente, por kam një pyetje shumë të thjeshtë: ГОРДИ НА ШТО, ПРОФЕСОРКЕ? – Krenare për çfarë, profesoreshë?”, shprehet ajo.
Në reagim, ajo rendit një sërë çështjesh që, sipas saj, dëshmojnë se ideja e një “shtëpie të përbashkët” ende nuk është realitet për të gjithë.
“Për cilën shtëpi po flasim? Për atë ku nxënësit ende mund të mbeten pa libra? Për atë ku mbyllen klasa në gjuhën shqipe? Për atë ku një fëmijë duhet të rritet duke e ndier gjuhën e vet si çështje për të cilën dikush duhet të negociojë?”, pyet Veliu Aliu.
Ajo përmend edhe problemet në shëndetësi, largimin e të rinjve nga vendi dhe përfaqësimin e barabartë.
“Për atë ku të rinjtë nuk pyesin më ‘çfarë do të bëhem këtu?’, por ‘ku do të shkoj?’ Për atë ku përfaqësimi i barabartë ende duhet të dëshmohet me numra, lista dhe përqindje?”, shkruan ajo.
Një pjesë e reagimit i kushtohet edhe pozitës së grave. Sipas Veliu Aliut, një shtet nuk duhet të jetë krenar vetëm për gratë që arrijnë sukses pavarësisht pengesave, por për një sistem që u krijon atyre mundësi të barabarta.
Në vijim, ajo e shtron drejtpërdrejt pyetjen se kujt i përket kjo “shtëpi”.
“E kujt është kjo shtëpi, zonja Presidente? E jotja? Po, pastaj e kujt tjetër? E maqedonasve? Po. E shqiptarëve? Po. E turqve? Po. E romëve? Po. E boshnjakëve? Po. E serbëve? Po. E vlehëve? Po.”
Veliu Aliu thekson se shteti nuk mund të trajtohet si pronë e një shumice etnike.
“Ashtu siç shtëpia nuk është shtëpi vetëm për atë që mban çelësin.”
Ajo vlerëson sukseset e shqiptarëve në fusha të ndryshme, por thotë se ata ende përballen me nevojën për të dëshmuar se janë “të mjaftueshëm” për gjuhën, institucionet, përfaqësimin dhe barazinë.
Në fund, Veliu Aliu thotë se pajtohet me idenë se qytetarët duhet ta ndërtojnë dhe rregullojnë vetë vendin, por jo përmes sloganeve.
“Po, ne duhet ta rregullojmë vetë, por fillimisht duhet të vendosim një gjë: kjo shtëpi nuk mund të jetë ‘e jotja’ vetëm në slogan. Duhet të jetë e jona në jetën reale.”
Dhe reagimin e mbyll me një mesazh të fortë:
“Sepse një shtëpi ku njëri ndihet pronar e tjetri mysafir, nuk është shtëpi e përbashkët. Është vetëm një ndërtesë ku njerëzit jetojnë bashkë.”
Në fund, ajo propozon edhe një tjetër mesazh për bashkëjetesën dhe të ardhmen e vendit: “Заедно во различноста, силни за заедничката иднина” – “Së bashku në dallimet tona, të fortë për të ardhmen tonë të përbashkët”.
