Pakënaqësi në LD të Izet Mexhitit për shkrirjen në VLEN, kontestohet ndarja e “hises” qeveritare

Pakënaqësi të konsiderueshme po shfaqen brenda strukturave dhe aktivistëve të Lëvizja Demokratike, të udhëhequr nga Izet Mexhiti, lidhur me procesin e shkrirjes së partive të koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik.

Burime brenda partisë i kanë thënë portalit Ontarget.mk se një pjesë e madhe e strukturave nuk janë të kënaqura me modelin e ndarjes së përgjegjësive dhe të “hises” qeveritare, që sipas tyre është konceptuar në pesë pjesë të barabarta – nga 20 për qind për secilin subjekt politik të koalicionit.

Sipas këtyre burimeve, ky model po perceptohet nga një pjesë e anëtarësisë si i pafavorshëm për Lëvizjen Demokratike, duke pasur parasysh peshën politike dhe organizative që partia pretendon se ka brenda koalicionit.

Ndërkohë, edhe pse procesi i shkrirjes së VLEN-it në një parti të vetme ende nuk është finalizuar, liderët e koalicionit po vazhdojnë me përgatitjet për këtë hap.

Kryetari i Lëvizja Besa, Bilall Kasami, deklaroi një ditë më parë se partnerët e koalicionit janë në pritje të qëndrimit të partisë Alternativa për të finalizuar procesin e bashkimit në një parti të vetme politike.

Sipas Kasamit, synimi është që subjekti i ri të funksionojë me dy kryetarë, një model drejtues që pritet të formalizohet pas përmbylljes së negociatave mes partnerëve të koalicionit.

Megjithatë, pakënaqësitë e raportuara brenda strukturave të Lëvizjes Demokratike tregojnë se procesi i bashkimit mund të përballet me sfida të brendshme, ndërsa pritet që në javët në vijim të qartësohen edhe detajet përfundimtare të organizimit dhe drejtimit të subjektit të ri politik.

Back To Top